Përmbledhje e zhvillimeve kyçe në ditën e 27-të të luftës:
Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se ka shenja të qarta që presidenti rus, Vladimir Putin mund të jetë duke u përgatitur për përdorim të armëve kimike dhe atyre biologjike në Ukrainë. Biden ka thënë se lideri rus “është mbështetur për muri” si rezultat i rezistencës ukrainase dhe se ka rrezik që ai mund të zbatojë taktika më të ashpra.
Forcat ruse duket se kanë “ngecur në vend” për shkak të avancimit të kufizuar, ka thënë Ministria britanike e Mbrojtjes në përditësimin e fundit. Sipas saj Ukraina vazhdon “të zmbrapsë” tentimet ruse për pushtim të qytetit të Mariupolit.
Ukraina ka thënë se edhe 8,000 persona janë evakuuar nga zonat e konfliktit të hënën. Zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk ka thënë se aty janë përfshirë rreth 3,000 persona nga Mariupoli.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se shteti i tij nuk do t’iu nënshtrohet ultimatumeve nga Rusia – pasi Moska ka thënë se do t’iu mundësojë banorëve të Mariupolit që të ikin, nëse Ukraina dorëzon qytetin. Ai ka bërë thirrje për bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, me qëllim të dhënies fund të konfliktit.
Ushtria ukrainase ka thënë se Rusia ka rritur prezencën ajrore në Ukrainë në 24 orët e fundit./rel