Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka vizituar çerdhen “Dielli” në Prishtinë.
Duke iu drejtuar stafit të kësaj çerdhe ai ka thënë se greva e mësimdhënësve është legjitime dhe si e tillë do të vazhdoj deri në realizimin e kërkesave, raporton Ekonomia Online.
“Ju përgëzoj sepse çerdhet janë unike kudo në Kosovë. Duhet të pranoj që me përfshirjen e juaj në këtë grevë, e keni fuqizuar grevën. Nga maji jemi munduar që me dialog t’i zgjedhim çështjet, mirëpo kjo ka qenë e pamundur. Greva një orëshe që mbajtëm në tetor nuk i vetëdijësoi sa duhet qeverinë. Greva jonë është legjitime. Nuk po angazhohemi për ngritje pagash në kuptimin klasik, por po angazhohemi për rritje koeficientesh. Po bëjmë përpjekje dhe po besoj që do të ja arrijmë ta kemi vendin meritor”, tha ai.
Jasharaj tha se oferta e kryeministrit nuk ishte e duhur për shkak që sipas tij ishte shumë e vogël dhe nuk ishin të përfshira të gjitha kategoritë.
“Të dielën që shkoj në takim me kryeministrin, ai ofroi një ofertë mirëpo ne e refuzuam për arsyen se oferta ishte e vogël dhe se nuk ishin përfshirë të gjithë në këtë ofertë, mungonin çerdhet, administrata dhe në tërësi universitetet. Ne jemi në rrugë të mbarë, ose do të fitojmë të gjithë ose do të humbim të gjithë. Shteti u mundua që qendrën ta bind me do shifra, u munduan me presion, por e kuptuan që ne jemi të pathyeshëm. Ne i kemi ofruar qeverisë mundësi, të na realizoj koeficientin për 30%, ose ta ndryshoj komplet ligjin dhe ta bëjmë nga fillimi”, tha ai, raporton EO.
Menaxheri i financave në SBASHK, Imer Imeri tha se do të shikojnë mundësitë për zgjidhjen e koeficientit për të gjitha kategoritë.
“Ata kanë thënë se nuk ka shancë me u heq ligji dhe ne kemi thënë pasiqë nuk hiqet atëherë le të ngritët koeficienti për të gjithë. Ne kemi me shiqu edhe njëherë me zgjidh problemin e punëtorëve në kuzhina. Kur miratohet ligji kot hyjmë në grevë. Nëse miratohet ligji prapë kemi me mbajt grevë”, tha ai, raporton EO.
Sot është dita 9-të e grevës në arsim e cila filloi pas pushimeve dimërore. Kryeministri Haradinaj ka dhënë një ofertë për SBASHK-un, mirëpo këta të fundit nuk kanë pranuar për shkak që sipas tyre ishte ofertë e vogël dhe nuk përfshiheshin të gjitha kategoritë.