Jetëgjatësia e koalicionit qeverisës do të vihet në test gjatë kësaj jave. Mocioni i iniciuar nga opozita, si dhe Marrëveshja e Demarkacionit, që pritet të procedohet për votim janë vlerësuar si akte që do t’i japin epilog bashkëjetesës në mes PDK-së dhe LDK-së.
Qeveria e Kosovës do të mblidhet sot për ta miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, e cila menjëherë do t’i përcillet Kuvendit, shkruan sot Koha Ditore.
Nuk përjashtohet mundësia që të njëjtën ditë të mblidhet edhe Kryesia e Kuvendit për ta futur në rend dite në seancë plenare.
Nuk dihet nëse Qeveria do të kërkojë seancë të jashtëzakonshme, e cila mund të mbahet qysh të hënën. Kjo pasi të martën Kosova feston 9 Majin dhe është ditë pushimi, ndërkaq të mërkurën në rend dite do të jetë mocioni i mosbesimit për Qeverinë Mustafa, i iniciuar nga partitë opozitare.