Po vazhdon edhe sot dita e dytë e panairit “Blej shqip”, i organizuar nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Odat e Tregtisë dhe Industrisë, i hapur për nderë të ditës së Flamurit.
Hajrie Rreci nga organizata “Duart e vyera”, tha se ky panair u ndihmon atyre si prodhues në promovimin e produkteve të tyre.
“ Organizata jonë merret me ushqime tradicionale me konservime, falënderoj shumë organizatorëve blej shqip. Ky panair na ndihmon shume dhe ka një rëndësi shumë të madhe. Prej prodhimeve vendore kemi, speca domate, ajvar, reqel si dhe mjaltë. Ka shumë të interesuar. Shumë ka ndryshime prej vitit në vit sa i përket interesimit edhe përkundër kohës së ftohtë”, tha ajo, raporton Ekonmia Online.
Ndërsa Valbona Sopa nga Lipjani tha se tashmë 14 vjet merret me prodhimet vendëse ndërsa tash e 4 vjet është pjesë e tregut mobil.
“ Ne si prodhues e kemi mirëprite vendimin e Qeverisë për vendosjen e masës sepse në një kohë u pat humb vlera prodhimeve vendore”.
Kaltrina Fejzullahu, nga stafi i “Blej shqip”, tha se ky është edicioni i pestë i panairit ku po marrin pjesë prodhues nga Shqipëria dhe Kosova.
“Jemi në edicionin e 5-të blej shqip. Mundohemi të shkoj gjithçka në rregull. Kemi prodhues shqiptarë edhe prej Kosovës edhe prej Shqipërisë. Ky panair u ndihmon prodhuesve shumë për mundësinë e shitjes së prodhimeve ”, tha Fejzullahu.
Për Gëzim Demaqin, nga Lupçi i Poshtëm,i Podujevës, tha se vendimi i Qeverisë për vendosjen e masës ndaj produkteve serbe është shumë pozitiv pasi që u ndihmon atyre si prodhues drejt promovimit të prodhimit të tyre .
“Është hera e parë qe marr pjesë në këtë panair sepse më parë kemi qenë në kuadër të tregut mobil. Kur kemi ardhë kemi pas një shitje shumë të ulët por e kemi fituar besimin e qytetarëve. Sa i përket vetëdijes për rëndësinë e prodhimit vendor, qytetarët na respektojnë shumë. Tash po e mirëpresim edhe vendimin e qeverisë për vendosjen e masës pasi kjo na ndihmon drejtë promovimit të prodhimeve tona”, tha ai.