Me rastin e Ditës së Evropës – 9 Maj dhe Vitit Evropian të Trashëgimisë Kulturore, Ambasada Franceze dhe Aleanca Franceze e Prishtinës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Zyrën e Bashkimit Evropian, kanë organizuar një konferencë me temën “Trashëgimia Kulturore në Kosovë – Parku Arkeologjik i Ulpianës”.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, tha se popujt evropianë i bashkon historia, kultura e trashëgimia, raporton Ekonomia Online.
“Përveç që është viti evropian, është në veçanti viti i trashëgimisë kulturore. Për të na kujtuar që ne popujt evropianë kemi gjëra që na ndajnë, por kemi edhe gjëra që na bashkojnë. Gjërat që na bashkojnë janë historia, kultura e trashëgimia”.
“Me anë të kësaj konference kemi dashur që t’ua tërheqim vëmendjen për trashëgiminë e pasur që ka Kosova. Arkeologjia nuk gënjen, përshkruan historinë e popujve të kaluar. Në historinë e kulturës së Kosovës gjendet një park, ai është parku i Ulpianës. Ky park përshkruan historinë e jetesës së një populli të hershëm”, tha ai.
Burbuqe Bakija-Deva, zv.ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tha se këtë vit Kosova e shënon duke promovuar paqen dhe kulturën.
“Edhe Kosova shënon këtë vit duke promovuar paqen, mirëpo kësaj radhe e fillojmë duke shënuar edhe vitin e kulturës, dhe shprehim gatishmërinë tonë për ruajtjen e trashëgimisë kuluturore, e cila është edhe pjesë integrale e trashëgimisë evropiane”.
Ajo prezantoi disa nga planet e Ministrisë së Kultuëes lidhur me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
“Në përputhje me planin dhe buxhetin e Ministrisë së Kulturës, këtë vit do të punohet shumë në projektet e trashëgimisë e sidomos në arkeologji. Lokaliteti i Ulpianës është një lokalitet qe ne mburremi që e kemi”.
“Ky lokalitet është ndër lokalitetet më të vizituara në Kosovë, ku vetëm në vitin 2017 ka pasur 23 mijë vizitorë, ndërkaq këtë vit rezultatet janë më premtuese sepse deri tani ka pasur 7 mijë vizitorë. MKRS gjithashtu do të prezantojë disa nga të gjeturat, kemi përgatitur edhe dokumentar qe do të ketë edhe risi tjera. Prioritet për Ministrinë do të mbetet qendra e Prizrenit”, tha ajo.
Riccardo Serri, përfaqësues i Zyrës së Bashkimit Evropian, tha se diversiteti kulturor është bazë në Bashkimin Evropian, raporton Ekonomia Online.
“Neser do të festojnë 28 shtete që janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe do të festojnë gjithashtu 26 gjuhët zyrtare, ndërkaq do ta festojmë edhe diversitetin kulturor që është bazë e Bashkimit Evropian. Përmes rolit që ia kemi dhënë trashëgimisë kulturore, Evropa është e veçantë”.
“Qëllimet tona sa u përket marrëdhënieve kulturore janë që ta mbështesim kulturën që është e dobishme për të gjithë ne. Bashkimi Evropian si tërësi e shteteve kemi sjellë një kulturë të pasur. Trashëgimia është shumë e pasur në Kosovë. Kultura ka rol edhe në nivel ekonomik, Kosova ka problem me papunësi dhe ne mendojmë që zhvillimi i kulturizmit kulturor mund të ofrojë mundësi punësimi dhe për të rritur imazhin e Kosovës”, tha ai.
Enver Rexha, drejtor i Institutit të Arkeologjisë në Kosovë, tha se arkeologjia është shtyllë e trashëgimisë kulturore.
“Kosova prej vitit 2000 është riorganizu në lëmi të ndryshme të trashëgimisë. Rezultatet shkencore kemi arritur dy vitet e fundit m’i bë botime. Kemi arritur revistën shkencore m’i botu në gjuhë të huaja, po ashtu edhe librat shkencorë në gjuhë angleze”, tha ai.
Milot Berisha përgjegjës për parkun arkeologjik “Ulpiana” tha se është dashur punë dhe mund i madh që të punohet në parkun arkeologjik “Ulpiana”.
“Është dashur një punë e madhe dhe mund për parkun “Ulpiana”. Ne kemi sfida për çështjen e pronësie por edhe këto do të zgjidhen me kohën dhe metodat e duhura. Vitin e kaluar kanë qenë 23 mijë vizitor dhe mua kjo me gëzon shumë sepse rritet vetëdija për trashëgiminë kulturore mirëpo me rritjen e vizitoreve rriten edhe kërkesat. Shpresoj qe shumë shpejt do të përfundoj plani i administrimit që së paku deri në 10 vite të kemi të qartë se si do të zhvillohet arkeo-turizmi”, tha ai.