Përfaqësuesja e Kosovës sot (e shtunë) zhvillon një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e saj të re por shumë interesante.
Dardanët’ që synojnë të jenë befasia më e këndshme e Ligës së Kombeve në kuadër të grupit 3 në Ligën D, zhvillojnë ndeshjen e xhiros së pestë ndaj Maltës në Valleta.
Ndeshja mes Maltës dhe Kosovës luhet me fillim nga ora 18:00, në stadiumin nacional “Ta’Qali”, që ka një kapacitet prej afro 18 mijë ulëseve.
Kosova me një fitore të mundshme ndaj Maltës, dhe me shpresën që Ishujt Faroe do të ndalin Azerbajxhanin, do të siguronte vendin e parë në ‘Grupin 3’ një xhiro para fundit, arritje që edicionin tjetër e vendos në Ligën C,e po ashtu do t’i rezervonte vetes ‘Play Offin’ drejt rrugëtimit historik për në Kampionatin Evropian.
Për këto dy ndeshje, Kosova është freskuar me tre emra të rinj. Arijanet Muriqi i Manchester Cityt, Shkëlqim Demhasaj i Luzernit dhe Mirlind Kryeziu i Zurich, janë lojtarët që kanë zgjedhur të veshin fanellën dardane.
Rëndësia e ndeshjes ndaj Maltës është e madhe, andaj edhe trajneri Bernard Challandes ka kërkuar përqendrim maksimal nga lojtarët në konferencën e mbajtur për shtyp.
“E filluam këtë edicion për të bërë paraqitje sa më të mira dhe jam i kënaqur me atë që kemi dhënë deri tani. Në këtë pikë po shohim se kemi shanse reale për ta mbyllur edicionin në vendin e parë të grupit, ndaj u kam kërkuar lojtarëve përqendrim, për të marrë maksimumin”, ka deklaruar Challandes, përcjell ‘lajmi.net’.
Edhe mesfushori Hekuran Kryeziu, i cili është rikthyer nga suspendimi për këtë ndeshje, sfidën ndaj Maltës e sheh si të vështirë, ku kërkon angazhim nga bashkëlojtarët.
“Ne e dimë rëndësinë e këtij takimi dhe jemi përqendruar maksimalisht. Vetëm pas këtij 90-minutëshi, do të mendojmë për ndeshjen me Azerbajxhanin. Bashkë me trajnerin, e kemi studiuar me kujdes Maltën dhe e dimë që do të jetë e vështirë, por kemi ardhur këtu për të dhënë më të mirën, me shpresën për të marrë maksimumin”, ka deklaruar Kryeziu.
Neve nuk na mbetet tjetër, veç se t’iu urojmë fat ‘Dardanëve’.