Dita e të Pagjeturve, EULEX: Palët të shkëmbejnë informacione të besueshme

Prishtinë | 30 Gus 2019 | 10:12 | Nga Ekonomia Online

EULEX-i e ka përkujtuar Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve të Detyrueshme duke thënë se rizotohet për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

Në një komunikatë për media thuhet se në mënyrë që të zbardhet fati i të pagjeturve palët duhet të shkëmbejnë informata të besueshme.

“Njëzet vite pas përfundimit të konfliktit të viteve 1998-1999, emrat e Personave të Pagjetur vazhdojnë të shtohen në Listën Zyrtare. Aktualisht janë 1,653 persona të pagjetur. Në mënyrë që të bëhet përparim në zgjidhjen e fatit të pagjeturve është e domosdoshme që palët përkatëse t’i shkëmbejnë mes vete informacione të besueshme dhe përkatëse”.

Sipas tyre, bashkërendimi midis palëve të interesuara duhet të përmirësohet ndërsa komunikimi me shoqatat e familjeve të forcohet.

Në komunikatë thuhet gjithashtu se “vazhdimi i profesionalizimit të zyrtarëve policorë dhe të mjekësisë ligjore duhet të mbetet një prioritet i lartë, së bashku me zbatimin koherent të strategjive efektive dhe gjithëpërfshirëse për kërkim”.

“Kjo është një çështje që i prek shumë familje këtu në Kosovë dhe në rajon dhe unë dëshiroj që t’ua ofroj mbështetjen time familjeve që ende presin ta mësojnë fatin e më të dashurve të tyre. Ndërsa natyra e procesit të identifikimit është e ndjeshme, e ndërlikuar dhe kërkon kohë, është me rëndësi që ajo të vazhdojë në mënyrë që të gjinden përgjigjet për fatin e të pagjeturve. EULEX-i ka kapacitete të dedikuara për këtë fushë dhe do ta vazhdojë mbështetjen e tij sipas nevojës dhe kërkesave të partnerëve kosovarë të tij”, ka deklaruar Ushtruesi i Detyrës së Shefit të Misionit EULEX, Bernd Thran.

EULEX-i ka pohuar se përkushtimi i vërtetë i autoriteteve kosovare është tejet i dobishëm për ta çuar më tej punën për personat e pagjetur, duke filluar me miratimin e pritur të  akteve nënligjore për riorganizimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, një hap ky i rëndësishëm drejt modernizimit të tij.

Që prej fillimit të mandatit të EULEX-it e deri më sot, ky mision i ka kryer 639 operacione në terren me qëllim të gjetjes të personave të pagjetur, përfshirë 160 zhvarrime.

Mbetjet mortore të 449 individëve janë identifikuar, përfshirë 306 persona të pagjetur.

EULEX-i ofron ndihmë teknike për Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës përmes ekipit të tij të ekspertëve mjeko-ligjorë për gjetjen, identifikimin dhe kthimin e mbetjeve mortore të personave të pagjetur tek familjet e tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme