Absurde, apo jo? Fillimisht e humbëm një muaj pas zgjedhjeve me arsyetimin se “rezultatet duhet të certifikohen”, e tash, tash e dy javë, përveç 2-3 orë takime, nuk po ndodh asgjë për të gjetur zgjidhje dhe për ta përfunduar krizën dyvjeçare.
Kjo tregon shumë. Në parim, as që kemi pasur nevojë ta prisnim certifikimin e rezultateve, të cilat tashmë i dinim. Por tani po ekspozohet se qëllimi i Kurtit dhe LVV-së ka qenë të blejnë dhe të humbin kohë. Ndërkohë, këto ditë, kur do të duhej të punonin pandërprerë, ditë e natë, që të gjendet zgjidhja, ata nuk po e bëjnë këtë.
Pra, rrjedhimisht, LVV-ja, e cila e ka shumicën më të madhe dhe është përgjegjësja kryesore për të gjetur zgjidhje, jo vetëm që nuk po i ngutet, por as nuk duket se ka vullnet që kriza të përfundojë e të gjendet një zgjidhje. Kjo, duke marrë parasysh krizën që po zgjat tash e dy vjet, është kriminale.
Kosova po e thellon varfërinë, krizën energjetike dhe ekonomike, ndërsa vende si Shqipëria dhe Mali i Zi po afrohen drejt anëtarësimit në BE, derisa Kosova mbetet e bllokuar dhe e izoluar… e ende nuk lëvizin për t’i formuar institucionet.
Argumenti i ditëve të fundit nga LVV-ja, që i lidh zhvillimet e brendshme në LDK me zgjidhjen e krizës, nuk është asgjë tjetër përveç mashtrim dhe manipulim i opinionit publik, për shkak se LVV-ja dhe LDK-ja, vetëm bashkë, nuk e zgjidhin krizën. Për këtë nevojitet më shumë fuqi dhe thellësi elektorale.
Ideja bazë, parimore dhe e duhur, të cilën edhe vetë LVV-ja e ka përkrahur para disa javësh, që Presidenti të jetë konsensual dhe jopolitik, nuk po përmendet më. Tani po përmenden pazaret për poste e institucione, thikat pas shpine ndaj kundërshtarëve politikë, në vend të bashkëpunimit shumë të nevojshëm për të gjetur zgjidhjen.
E LVV-së, sidomos kryetarit të saj, Albin Kurti, kjo situatë po i pëlqen jashtë mase. Sikur po e bën me plan gjithë këtë rrëmujë dhe gjenerim të mjegullës e paqartësisë, duke e shfrytëzuar këtë situatë për kapjen e sa më shumë institucioneve të rëndësishme me aktivistë partiakë.
Nuk ka si të mos jetë kjo një situatë e keqe dhe e dëmshme për Kosovën, kur edhe pas disa viteve bllokadë e krizë, e pas disa palë zgjedhjeve të përsëritura, ku populli ia jep mandatin LVV-së me një shumicë shumë cilësore për t’i krijuar institucionet, ata me veprimet e tyre i dështojnë proceset dhe vazhdimisht e dërgojnë vendin në zgjedhje, duke i shfrytëzuar njëkohësisht këto situata për kapjen e secilit institucion të rëndësishëm me partiakët e tyre, thuajse dëshirojnë të na kthejnë në një parti-shtet, në një lloj komunizmi evropian.
Sa për kontekst, mënyra se si Kosova duhet të dalë nga kriza është duke e thelluar dhe intensifikuar dialogun ndërpartiak me partitë parlamentare për të gjetur zgjidhje dhe për ta zgjedhur Presidentin e ri. E kjo nuk arrihet me një marrëveshje politike me vetëm një parti; nevojiten së paku tri parti të mëdha ose të mesme. Pra, LVV-ja dhe LDK-ja nuk e zgjidhin nyjën. Nevojitet dialog shumë më i gjerë.
Gjithashtu, takimet 1+1 nuk e zgjidhin problemin, sepse duhet konsensus më i thellë dhe më i gjerë. Pra, duhen takime dhe dialog intensiv në tryeza ku marrin pjesë më shumë parti parlamentare. Sidomos, kandidati nuk duhet të jetë partiak e politik, sepse në kontekstin e mosbesimit aktual mes partive, një kandidat i tillë nuk do të votohet kurrë. Kandidati duhet të jetë jopolitik, apartiak dhe konsensual.
Aktualisht jemi larg asaj që duhet të bëhet për të gjetur zgjidhjen dhe po shkohet drejt konsumimit maksimal të afateve kushtetuese, duke e sjellë situatën që në momentin e fundit, në ditët dhe orët e fundit, të improvizohet me zgjidhjen. E këtë e kemi parë dhe provuar disa herë, dhe na ka dërguar në dështim dhe në përsëritje të zgjedhjeve.