Dhjetë muaj pasi u zyrtarizua te Z Mobile Prishtina, amerikani Divine Myles (180 cm) ka nisur përgatitjet me Përfaqësuesen e Kosovës. Plejmejkeri 23-vjeçar, të hënën, u paraqit në grumbullimin e ekipit, i cili po përgatitet për fazën e tretë parakualifikuese të “Eurobasket 2021”.
Myles gjatë muajit të ardhshëm do të debutojë me Kosovën, pasi do të luajë në katër ndeshje të kësaj faze. Kosova në këtë fazë do të luajë në kuadër të Grupit G dhe do të përballet me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe për një vend në kualifikimet e “Eurobasketit 2021”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Myles do të jetë plejmejkeri i Kosovës në këtë ndeshje dhe i natyralizuari i vetëm që është ftuar në grumbullim. Myles është pajisur me pasaportën e Kosovës muaj më parë dhe është amerikani i pestë që është kosovarizuar pas Justin Doellmanit, Scott Bamforthit, Shawn Jonesit e Malcolm Arsmteadit.
Ai pranon se as që ka paramenduar se do të jetë pjesë e Kosovës pas përvojës me fanellën e Z Mobile Prishtinës, që e pati gjatë edicionit të shkuar. Ai është i nderuar që bart fanellën e “dardanëve” dhe ka falënderuar federatën (FBK) e përzgjedhësin Damir Mullaomeroviq për mundësinë e dhënë. Në fakt, ishte Mullaomeroviq ai që propozoi natyralizimin e Mylesit, të cilin e kishte lojtar te skuadra e Prishtinës.
“Myles luan në pozitën e fundorit dhe do të jetë ndihmesë e madhe gjatë rrugëtimit tonë si në garat e FIBA-s, po ashtu edhe vendore. Myles karakterizohet me lojë të gjithanshme në të gjitha repartet. Sa i përket lojës ofensive, shquhet me depërtime të suksesshme, pasime, kërcime, si dhe precizitet të lartë pothuajse nga të gjitha pjesët e fushës.