Në 19-vjetorin e rënies dëshmor të ish-gjeneralit të UÇK-së, Sali Çekaj, nën patronatin e kryeministrit Ramush Haradinaj u organizua akademi përkujtimore.
I biri i Sali Çekajt, Hyseni, në emër të familjes Çekaj tha se nuk e di si duhet të ndihen ai dhe nëna e tij kur të tjerët thonë se pjesëtarët e FARK-ut janë fshehur nëpër thera.
Por ai tha se në fund të fundit vlen sakrifica e babait të tij dhe bashkëluftëtarëve. Sipas tij, Kosova duhet tani e tutje të tregojë një fytyrë të re, raporton Ekonomi Online.
“Edhe 19 vite të rënies së Çekajt vazhdoni ta nderoni. Pa njerëz të tillë ne nuk do ta gëzonim lirinë e sotme. Përsëris falënderimet tona që çdo vit leni punët tuaja për të qenë afër nesh në këto ditë të dhimbshme. E ndiejmë veten keq kur një vit nuk kalon në rrethana të këqija për vendin tonë”.
“Ti ke gjetë vdekjen nga plumbi serb, a nuk mjaftuan këto që edhe pas 20 vitesh të na ndajnë e na privatizojnë veteranët. Në fund të fundit për ne vlen sakrifica. Dëshiroj që Kosova të tregoj një fytyrë të re, për bashkim”.
“Në asnjë mënyrë nuk duam si familje të ndahemi nga principi ynë i hekurt qe të mos përzihemi në çështjet sidomos politike. Nuk di si duhet të ndihem unë, nëna dhe motrat kur dëgjojmë në televizionet e Kosovës njerëz të paskrupullt që thonë se pjesëtarët e FARK-ut janë strehuar nëpër thera e nëpër hotele gjatë luftës”.
“Si paska atëherë mundësi që Sali Cekaj, i cili edhe në prezencë të familjarëve tanë ka deklaruar haptaz se ishte ushtar i UÇK-së në komandën e FARK-ut dhe Ministrisë së Mbrojtjes të ketë gjetë vdekjen nga plumbi serb në Koshare. A thua nuk paskan mjaftuar vdekjet, shkatërrimet dhimbjet e luftës sa që do qyqarë që nuk iu dihet asnjë pikë autoriteti në luftë edhe pas 20 vitesh të vazhdojnë të na i ndajnë e privatizojnë dëshmorët e veteranët”.
Në këtë akademi, eprori Hysen Berisha, në emër të brigadës 138 “Agim Ramadani”, tha se kur kujtohen personalitete si Sali Çekaj marrin prej tyre lavdinë.
“Deçanit ia kishte dhuruar statutin e komunës moderne sipas Kushtetutës së Kaçanikut. Sali Çekaj la diasporën dhe mori armën. Ishte kundërshtar i pakompromis kundër kolaboracionistëve që bënin kompromise”.
“Toka e Dardanisë sot është e çliruar dhe Sali Çekaj është hero i Kosovës. Kur i përkujtojmë personalitetet si Sali Çekaj marrim nga lavdia e tyre dhe përgjegjësi për atë që ishim. Sot me ndershmëri duhet të marrim të ardhmen tonë. Do të jemi vetë avokatë të vërtetës”.