Nacionalistët serbë që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës kanë thënë se kanë ndërmend të protestojnë për Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Disa lëvizje të krahut të djathtë në Serbi, të tilla si Aksioni Serb, Gjenerata e Identitetit dhe Fari i Klubeve Kulturore, kanë njoftuar se do të mbajnë një “marsh për Kosovën serbe” më 17 shkurt, në dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Nacionalistët serbë kundërshtojnë ashpër pavarësinë e Kosovës, të cilën shumë prej tyre e quajnë “djepi” i kombit serb.
“Me rastin e dhjetë vjetorit të shpalljes së paligjshme të të ashtuquajturës pavarësi të Kosovës dhe Metohisë, patriotët nga Aksioni Serb, Gjenerata e Identitetit dhe Fari i Klubeve Kulturore do të organizojnë ‘marsh për Kosovën serbe’”, njoftuan ata në Facebook.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, pasi u shkëput de facto në vitin 1999 si rezultat i luftës ajrore të NATO-s mbi Serbinë.
Shumica e vendeve perëndimore, duke përfshirë ShBA-në, e kanë njohur Kosovën si shtet shumë kohë më parë, por pesë shtete të BE-së, Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro, nuk e kanë bërë këtë. Serbia gjithashtu gëzon mbështetje të fortë nga Rusia dhe Kina lidhur me çështjen e Kosovës.
Formalisht, Kosova ka qenë e lirë nga mbikëqyrja ndërkombëtare që nga koha kur Zyra Ndërkombëtare Civile, organi përgjegjës për mbikëqyrjen e pavarësisë, u largua në vitin 2012. Misioni i BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, mbetet në vend, megjithëse me fuqi të reduktuara.
Derisa pavarësia e Kosovës kundërshtohet fuqimisht nga qeveria serbe, ajo mohohet akoma më me forcë nga e djathta nacionaliste.
Njoftimi zyrtar i “Marshit për Kosovën” tha se tubimi do të fillojë në orën 17:00 para kishës së ‘Shën Markut’ në Beograd.
Aksioni Serb është i mirënjohur për publikun dhe ishte i përfshirë në përkujtimin e diskutueshëm të së dielës të Milan Nediq.
Nediq kryesoi ‘qeverinë kukull’ të Serbisë nën pushtimin gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Fotografitë nga ngjarja, të shpërndara gjerësisht në rrjetet sociale, treguan aktivistët duke dhënë përshëndetje naziste.
Gjenerata e Identitetit dhe Fari i Klubeve Kulturore nuk janë aq të njohura në publik. Faqet e internetit dhe llogaritë e tyre në Facebook thonë se ata “mbrojnë identitetin etno-kulturor serb” dhe kundërshtojnë fuqishëm pavarësinë e Kosovës.
“Ne i ftojmë të gjithë patriotët të bashkohen me ne dhe së bashku të tregojmë qëndrimin e një Serbie patriotike që nuk heq dorë nga toka e shenjtë serbe, Kosova dhe Metohia”, thuhet në ngjarjen e paralajmëruar në Facebook.
Në Kosovë, nga ana tjetër, shumë ngjarje janë planifikuar për përvjetorin e pavarësisë. Agjenda zyrtare ende nuk është shpallur, por ish-Ministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi ka thënë tashmë se ylli i muzikës pop, Rita Ora, e lindur në Kosovë, do të mbajë një koncert.
Veprimtaria e vitit të kaluar filloi me një ceremoni te varri i presidentit të parë, Ibrahim Rugova në Prishtinë.
Zyrtarët e Kosovës gjithashtu kanë vizituar edhe kompleksin përkujtimor në Prekaz, i cili përkujton themeluesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Ai u vra së bashku me 50 të tjerë kur forcat jugosllave e rrethuan shtëpinë e familjes së tij në Prekaz në vitin 1998.
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump ka dërguar një letër urimi, duke deklaruar mbështetjen e Amerikës për një Kosovë “sovrane, multietnike dhe demokratike”.
Kosova ishte pjesë e shtetit serb mesjetar për shekuj me radhë në Mesjetë dhe ishte vendi i një beteje të rëndësishme midis Serbisë dhe pushtuesve osmanë në vitin 1389.
Pas pushtimit të Ballkanit nga osmanët, demografia e saj ndryshoi ngadalë dhe serbët u bënë minoritet në atë që tani është një vend kryesisht shqiptar.
Serbia rifitoi Kosovën gjatë luftërave ballkanike të 1912-13. Pas Luftës së Dytë Botërore, qeveria komuniste jugosllave i dha asaj statusin e një krahine autonome. Pas një kryengritjeje në fund të viteve 1990, të cilën Serbia u përpoq të shtypte, NATO ndërhyri me një fushatë ajrore që rezultoi me tërheqjen e Serbisë në vitin 1999. Megjithatë, pjesa veriore e Kosovës mbetet nën kontrollin de facto të Serbisë.