Djegia e stallës në Cerravik të Klinës, zjarrfikësit thonë se u penguan nga disa persona

Prishtinë | 19 Kor 2020 | 17:19 | Nga Ekonomia Online

Sot rreth orës 7:30 të mëngjesit është përfshirë nga flakët një stallë e lopëve në Cerravik të Klinës.

Pronari i saj, Fatmir Dakaj, ka thënë për klankosova.tv se herët në mëngjes i ka lajmëruar zjarrfikësit për këtë incident me zjarr, por sipas tij, askush nga ta ende nuk ka dalë në vendin e ngjarjes.

Mirëpo një gjë e tillë e ka demantuar Anton Palucaj nga njësia e zjarrfikësve në Klinë. Ai ka thënë se kanë dalë në vendin e ngjarjes 25 minuta pasi kanë pranuar informatën, por se janë penguar që të kryejnë punën e tyre nga disa persona.

“Ne sot jemi njoftuar nga Policia në orën 8:50 dhe kemi dalë në vendin e ngjarjes në orën 9:15. Në vendin e ngjarjes kanë qenë edhe një njësiti i Policisë të cilët ne i falënderojmë për punën e tyre”.

“Me të dalë në vendin e ngjarjes, disa persona që kanë qenë aty (5 ose 6 prej tyre na kanë sulmuar). Ata nuk na kanë lejuar që të zbresim nga kamioni për të kryer punën tonë me pretekst se jemi vonuar – aty ka ndërhyrë Policia”.

“Pastaj ne kemi bërë edhe një tentim të dytë që të ballafaqohemi me zjarr, por sërish jemi penguar nga të njëjtit persona në prezencën e Policisë së Klinës”.

Palucaj ka shtuar se kushdo që ka dëshirë mund të shkojë dhe t’i marrë informatat e sakta nga institucionet përkatëse për të konstatuar se në çfarë ore janë lajmëruar zjarrfikësit për rastin në fjalë.

“Informacioni i zotërisë [Fatmir Dakaj] nuk është aspak i saktë. Ne nuk e dimë se ku dhe kë e ka telefonuar ai, por ne iu referohemi dy numrave kontaktues zyrtarë”.

Për t’u informuar më shumë rreth kësaj ngjarje, klikoni në linkun e mëposhtëm.

Të ngjashme