DnV: 117 persona tentuan të votojnë më shumë se një herë

Prishtinë | 11 Qer 2017 | 20:27 | Nga

Një orë para mbylljes së procesit të votimit, përkatësisht deri në orën 18:00, vëzhguesit e DnV-së raportojnë se të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 37% e qytetarëve.

Parregullsitë më të shpeshta që po e përcjellin procesin e votimit në terren prej orës 12:00 deri në orën 18:00 janë:

Tentimet për të votuar më shumë se një herë (votimi i dyfishtë) me gjithsej 117 raste, në 48 vendvotime (ose në përqindje 2% të VV). Prijnë komunat: Peja (15), Gjakova, Prishtina dhe Skenderaj (nga 13 raste)
Votimi familjar është raportuar në 6882 raste, në 618 vendvotime ose në 27% të vendvotimeve në Kosovë.

Komunat që prijnë me votime familjare janë: Lipjani (774), Prishtina (582) dhe Suhareka (547)
Fotografimi i votës i pranishëm në të gjitha proceset zgjedhore të kaluara e ka përcjellë procesin. Edhe pse i sanksionuar me kodin penal të Kosovës, fotografimi i votës është evidentuar në 197 raste, në 85 vendvotime (ose në 3.70% të vendvotimeve e shprehur më shumë komunat: Mitrovice (31), Prishtine (24), Prizren dhe Dragash (16).

Raste të votimit jashtë kabinave (ose publikimit të votës) janë gjithsej 67, në 36 vendvotime (apo në 1.6 % të vendvotimeve), më shumë i shprehur në këto komuna: Prishtinë (14), Skenderaj (7), Leposaviç e Prizren (5).
Asistimi i votuesve më shumë se një herë është vërejtur në 213 raste, në 76 vendvotime apo në 3.3 % të vendvotimeve. Prijnë komunat Suhareka (46), Prishtina (42) dhe Vitia (21).

Vështirësitë për t’u identifikuar në Listën e Votuesve po e përcjellin edhe këtë proces zgjedhor. Ankesa lidhur me Listën e Votuesve janë raportuar në 1203 raste në 168 vendvotime (7.3%). Komunat më problematike në këtë drejtim janë: Mitrovicë (253), Prishtinë (145) dhe Prizren (131).

Sipas nenit 83 të LPZ, vetëm votuesit, pjesëtarët e trupave menaxhuese zgjedhore (anëtarët e KKV, stafi i QV, pjesëtarë të KQZ-së, KKZ, Sekretariatit të KQZ) dhe vëzhguesit janë të lejuar të jenë prezentë në VV. Përjashtim bën edhe policia nëse kërkohet të jetë prezente për të vënë rregull. Prej orës 12:00 deri në orën 18:00 është vërejtur prezencë e personave të paautorizuar në 19 QV/VV.

Incidentet që e kanë përcjellë procesin nga ora 12:00 deri në 18:00:

Në shkollën “Skenderbeu” në fshatin Vaganicë të Komunës së Mitrovicës, është bërë një arrestim i votuesit për shkak të fotografimit të fletëvotimit.

Shkolla “Skëndër skenderi” qendra e votimit 2110B, në Vojnik të Skenderajt një person ka tentuar që të votoj edhe pse i është gjetur ngjyra në gishtërinj. Nga Prishtina kanë shkuar ekipet mobile shtesë për të shikuar këtë vendvotim.

Në shkollën “Mustafa Bakija” në komunën e Gjakovës janë ndaluar 6 vëzhgues nga policia nën dyshim të falsifikim të akreditimit. Të njëjtit pas intervistimit janë liruar.

Në shkollën “Dardania” në Prishtinë në qendrën e votimit1904E, vendvotimi ku votojnë personat me kusht është mbyllur, arsye e raportuar është tejmbushja e kutive të votimit. Koha e mbylljes 15:20h. Vendvotimi është hapur në ora 16:30h pas sjelljes së kutisë së re.

Prokuroria e shtetit pasi që ka marr informatën nga DnV në lidhje me rastin në fshatin Zhegër të Gjilanit kanë vepruar menjëherë dhe kanë dërguar hetuesit në vendin e ngjarjes. Aty nuk kanë gjetur ndonjë gjë nga raportimi se në afërsi të vendvotimit shpërndarja e materialit propagandistik dhe shpërndarja e parave.

Në shkollën “Ahmet Hoxha” në qendrën 2501Y në vendvotimin 02R, në komunën e Ferizajit një person ka kërkuar asistencë për votim ndërsa kryesuesi i vendvotimit i ka kërkuar vëzhguesit nga koalicioni PDK-AAK-NISMA etj. që ti ndihmoj. I njëjti pos ndihmës së kundërligjshme e ka nxit votuesit të votoj për partinë nga e cila është angazhuar për vëzhgim.

Në shkollën “Tre Dëshmorët Vranjak” në qendrën e votimit 1632A, në komunën e Rahovecit nga vëzhguesit prap është raportuar se një numër i personave të cilët po paraqiten në mënyrë të rreme kinse përfaqësojnë organizat të shoqërisë civile dhe parti politike. DnV ka raportuar rastin edhe tek Prokuroria e Shtetit dhe një ekip i prokurorëve është duke hetuar rastin.
Po në këtë shkollë nga vëzhguesi jonë është raportuar se një person ka asistuar në votim një numër të madh të votuesve, e për pasojë ka intervenuar policia dhe të njëjtin e ka larguar nga kjo qendër.

Në shkollën “Krajl Millutin” në qendrën e votimit 3401E në vendvotimin me numër 01R në komunën e Gracanicës një person ka tentuar ta fotografoj fletëvotimin mirëpo komisioneri ia ka marr ID-në, të cilën ia ka dorëzuar policisë.

Në shkollën “Knez Llazar” qendrën e votimit 3409E në vendvotimin me numër 2D në fshatin Dobratin të Komunës së Gracanicës një person i vjetër dhe i dehur e ka thyer kutinë e votimit dhe më pas policia e ka arrestuar të njëjtin. Po në këtë qendër një person tjetër është arrestuar meqë i njëjti në oborrin e qendrës ka marr informata se për kë po votojnë qytetarët e asaj qendre.

Në shkollën “Sfeti Sava” në qendrën e votimit 0420D në vendvotimin 01D në Gjilan një person nga komuniteti serb ka asistuar 5 persona.
Në shkollën “Motrat Qiriazi” në Prizren qendra e votimit 2004A në vendvotimin 03R një person është lejuar që të votoj edhe pse ka pas gjurmë të ngjyrës në gishtrinjë.

Në Shkollën Lidhja e Pejës në Pejë në qendrën e votimit 1707C në vendvotimin 06R komisionerët kanë vendosur që të largojnë nga vendvotimi të gjithë vëzhguesit ta lënë vendvotimin.

Në fshatin Zhabarë komuna e Mitrovicës Shkolla fillore Shaban Idrizi qendra e votimit 1103X policia ka intervenuar me shoqërim të një personi pasi që i njëjti ka kërcënuar një zyrtare të KQZ dhe menaxheren e qendrës së votimit.

Në shkollën fillore “Gjin Gazulli” në qendrën e votimit 1918E në vendvotimin 04D në Prishtinë një person me inicialet B.S. është duke qëndruar në vendvotim pa akreditim.

Në shkollën “Selman Riza” në qendrën e votimit 0901E në vendvotimin 14D në komunën e Fushë Kosovës nuk janë duke u kontrolluar personat që po futen për votim nëse i kanë gishtrinjët e spërkatur.

Në shkollën fillore “Asim Vokshi” qendra e votimit 3013A në komunën e Malishevës vërehet prani e militantëve të PDK dhe NISMA të cilët janë duke imponuar votuesit se për kë të votojnë.

Në shkollën fillore “Bajram Curri” në qendrën e votimit 0903E në vendvotimin 03D në Sllatinë të madhe të Fushë Kosovës kryesuesi i vendvotimit ka ndihmu një person që të votoj.

Në shkollën “Azem Bejta” në qendrën e votimit 2105B në vendvotimin 03R në Skenderaj një votues pa mjet identifikues ka votuar edhe pse të njëjtit i është ndaluar votimi nga kryesuesja. Ai ka marr fletëvotimin me dhunë dhe e ka kërcënuar e fyer kryesuesën.

Në Gracanicë në qendrën e votimit 3408E në vendvotimin 01R kemi një person që ka votuar jashtë kabinës së votimit edhe për kundër faktit se ju ka ndaluar komisionerët. Ata e kanë shkruar në libër incidentin dhe e kanë nxjerr jashtë votuesin.

Në shkollën fillore “Ilira” në qendrën e votimit 2404A në vendvotimin 02D në komunën e Suharekës, komisioneri i Lëvizjes Vetëvendosje ka shpërnda vizitkarta të partisë.
***
Thërrasim qytetarët dhe subjektet politike të p ërmbahen nga festimi në ambiente të hapura deri në shpalljen e rezultateve preliminare.
Kërkojmë nga trupat menaxhuese zgjedhore dhe vëzhguesit të garantojnë një proces të rregullt të numërimit të rezultateve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme