Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” po vazhdon ta vëzhgojë procesin zgjedhor në territorin e Komunës së Drenasit. Dalja e votuesve deri në orën 12:00 është 6,956 votues (përfshirë ata me kusht) apo shprehur në përqindje 13.23%.
Parregullsia më e shpeshtë që po shoqëron shumicën e vendvotimeve është votimi familjar, kur më shumë së një person voton prapa kabinës së votimit. Kjo dukuri është identifikuar në 68 raste.
Sipas DnV-së, vetëm në Negrovc ka ndodhur që kryefamiljari t’i shoqëroj prapa kabinës së votimit 12 familjarë të tjerë, raporton Ekonomia Online.
Në ora 12:40 në vendvotimin e dyfishtë 0305E/02D në Gradicë, shkolla “Mehmet Gradica”, tre komisionerë paralajmërojnë mbylljen e vendvotimit për shkak të vështirësive me menaxhim të procesit për shkak të fluksit të madh të votuesve.
Në vendvotimin 0319E/02D, në Zabel të Ulët, shkolla “Arif Shala”, një person është lejuar të votojë përkundër që i ishte identifikuar ngjyra në gishtërinj”.
Janë raportuar së paku 86 raste me vështirësi të votuesve për t’a gjetur emrin e tyre në listën e votuesve.
Fotografimi i votës, ndonëse i ndaluar me ligj është dukuri e përsëritur edhe në këto zgjedhje. Së paku në 6 vendvotime/raste është vërejtur fotografimi i votës.
Në vendvotimin 0322E/01R, në Qikatovë të Vjetër, shkolla “Dëshmorët e Drenicës“, vëzhguesit e PDK-së bëjnë presion mbi vëzhguesin e DnV-së që të mos qëndrojë gjatë tërë kohës në vendvotim.
Në 5 raste të tjera i njëjti person ka asistuar më shumë se një herë votuesit për të votuar me asistencë.