Demokracia në Veprim (DnV) ka mbajtur konferencën e tretë gjatë ditës, për të raportuar lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Albert Krasniqi, përfaqësues i Demokracisë në Veprim (DnV), bëri të ditur se deri në orën 17:00, pjesëmarrja e qytetarëve në votime është 31.6 për qind, raporton Ekonomia Online.
“Ne kemi përcjellur gjithë procesin e votimit deri në ora 17 dhe jemi duke vazhduar. Deri në këtë orë gjithçka ka rrjedhur normalisht. Sa i përket daljes në zgjedhje këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar 31.6 për qind e qytetarëve. Të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar mbi 427 mijë qytetarë, apo 31.6 për qind”, tregon Krasniqi.
“Procesi i fotografimit të votës është evidentuar në 54 vendvotime, ku prin komuna e Prishtinës. Në kryeqytet një parregullsi e tillë është vërejtur në (10 vendvotime), në Gjakovë (8 vendvotime). Rastet e votimit jashtë kabinave janë hasur në 29 vendvotime. Asistimi i votuesve më shumë se një herë është shprehur në 29 vendvotime”.
“Parregullsitë më të shpeshta që po e përcjellin procesin e votimit në terren deri në orën 17:00 janë: Vështirësitë e votuesve për t’a gjetur emrin e tyre në Listën e Votuesve po e përcjellin edhe këtë proces zgjedhor. Ankesa lidhur me Listën e Votuesve janë raportuar në 202 vendvotime rreth 11.4% të vendvotimeve. Komunat ku është shënuar ky problem janë në Mitrovicë në 25 vendvotime, Prishtinë në 21 vendvotime, Podujevë në 20 vendvotime, në Prizren në 15 raste”
Sipas DnV-së, votimi familjar është evidentuar gjithsej në 116 vendvotime, përkatësisht në 6.5 % të të gjitha vendvotimeve. Prijnë komunat: Ferizaj në 32 vendvotime, Gjakova dhe Mitrovica në nga 10 vendvotime, Prishtina në 5 vendvotime.
Fotografimi i votës është evidentuar gjithsej në 54 vendvotime në nivel vendi, përkatësisht në 3% të të gjitha vendvotimeve. Në komunën e Prishtinës në 10 vendvotime, në Gjakovë në 8 vendvotime, ndërsa në Gjilan dhe Ferizaj në nga 4 vendvotime.
Raste të votimit jashtë kabinave të votimit është evidentuar gjithsej në 29 vendvotime përkatësisht në 1.6% të vendvotimeve. Kjo parregullsi është shënuar më shumë në komunat e Suharekës dhe Podujevës në nga 4 vendvotime dhe Prizrenit në 3 vendvotime.
Asistimi i votuesve më shumë se një herë është evidentuar gjithsej 27 vendvotime (rreth 1.5 % të vendvotimeve). Prijnë komunat: Prizren në 6 vendvotime, Prishtinë në 4 vendvotime ndërsa në Gjakovë, Ferizaj dhe Mitrovicë në nga 2 vendvotime.
Prania e personave të paautorizuar në vendvotime është evidentuar gjithsej në 21 vendvotime (rreth 1.2 % të vendotimeve). Prijnë komunat: Podujevë në 4 vendvotime, Gjakovë dhe Prizren në nga 3 vendvotime, në Mitrovicë, Prishtinë, Istogu në nga 2 vendvotime.
Tentimet për të votuar më shumë se një herë (votimi i dyfishtë) është evidentuar gjithsej në 10 vendvotime, ku prijnë komunat: Vushtrri në 2 vendvotime, ndërsa në Gjakovë, Prishtinë, Podujevë, Klinë, Mitrovicë, Suharekë, Ferizaj dhe Istogu në nga 1 vendvotim.
Disa nga parregullsitë e raportuara nga ora 12:00 deri në 17:00: Në qendrën e votimit 0805 C në vendvotimin 01R në shkollën “Ali Krasniqi” në komunën e Klinës, brenda në kabinën e votimit është evidentuar shënjimi i njërit prej emrave të kandidatëve për kryetar.
Në qendrën e votimit 1101 B në vendvotimin 01R në shkollën “Shaban Idrizi” në komunën e Mitrovicës, një personit i është gjetur një kopje e fletëvotimit në xhep, I cili është arrestuar nga Policia.Në qendrën e votimit 1906 E në vendvotimin 07R në Fakultetin Filologjisë në komunën e Prishtinës, ky vendvotim është mbyllur përkohësisht pasi një person ka asistuar më shumë se një herë votuesit për të votuar. Në qendrën e votimit 2704 B në vendvotimin 05R në shkollën “Mustafë Venhari” në komunën e Vushtrrisë një person ka asistuar më shumë se një herë votuesit, përkatësisht në 3 raste.
Në qendrën e votimit 1104 B në vendvotimin 05R në shkollën “Ismail Qemajli” në komunën e Mitrovicës, një person ka kërkuar fletëvotimi të ri pasi ka deklaruar se ka votuar gabim. Komisioneri i ka mohuar të drejtën e votimit duke refuzuar ti ofroj fletëvotim të ri. Po në këtë qendër të votimit në vendvotimin 07R një person ka dëmtuar librin e nënshkrimeve, duke shënjuar me X emrin e një votuesi me pretendimin se ai nuk voton këtu.
Në qendrën e votimit 1911E në vendvotimin 02R në shkollën “Ismail Qemajli” në komunën e Prishtinës, një person është lejuar që të votoj me certifikatën e lindjes. Në qendrën e votimit 0401D në vendvotimin 11R në shkollën “Abaz Ajeti” në komunën e Gjilanit, një person ka asistuar një votues duke votuar ndryshe nga vullneti i tij.
Në komunën e Prizrenit, persona me akreditim të skaduar kanë qenë prezent në vendvotim.Në komunën e Malishevës vëzhguesit po i pengojnë votuesit për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar.