Demokracia në Veprim (DnV), ka thënë se në 3 ditët e para të fushatës zgjedhore janë mbajtur 40 takime, raporton Ekonomia Online.
Sipas saj në këto tubime s’janë respektuar masat anti-Covid.
Jeta Krasniqi nga DnV-ja në konferencën për medie ku ka prezantuar të gjeturat nga monitorimi për tri ditët e para të fushatës zgjedhore të 14 shkurtit, ka thënë se subjektet politike kanë përdorur edhe gjuhë nxitëse.
“Nga takimet që monitoruesit kanë ndjekur kanë evidentuar që në pjesën dërmuese të aktiviteteve subjektet politike nuk u janë përmbajtur rekomandimeve të IKShPK-së. Nuk është përfillur distanca e as maskat”.
“Subjektet politike nuk po e respektojnë edhe ligjin për të paralajmëruar 24 orë më parë se cilat aktivitete do të mbahet në një komunë të caktuar. Takimet mbahen por s’paralajmërohen siç kërkon ligji.
DnV dënon ashpër papërgjegjësinë e subjekteve politike që përmes aktiviteteve të tyre pa përfillje të masave po rrezikojnë shëndetin e qytetarëve”.
“Subjektet politike veç që kanë folur për programin e tyre kanë folur edhe me gjuhë nxitëse për kundërshtarët e tyre. Fokusi ka qenë në temat si zhvillimi ekonomik, bujqësia, shëndetësia e arsimi”, ka thënë Krasniqi.
Ajo ka thënë se në këto tubime s’janë krijuar kushte për pjesëmarrje të personave me nevoja të veçanta, si dhe pjesëmarrje të ulët të grave.
“Kemi vënë re që në 35 përqind të aktiviteteve që kanë pasur personat me aftësi të veçanta nuk kanë pasur hapësirën e tyre. Kemi parë edhe pjesëmarrje të ulët të aktivitetit të grave. Në listat zgjedhore nuk u reflektua ligji për barazi. Hapësira që u ofrohet grave për tu drejtuar publikut është vetëm 23 përqind, është shprehur Krasniqi.
Sipas DnV-së, atmosfera në të cilat janë zhvilluar aktivitetet ka qenë e qetë.
DnV-ja ka kritikuar mediet për përfaqësim të ulët të grave në debatet zgjedhore.
“Gjatë periudhës 13 janar – 04 shkurt 2021, janë monitoruar 226 debate, në të cilat kanë marrë pjesë nga radhët e subjekteve politike gjithsej 335 kandidatë. Nga ta, 83 ishin kandidatë nga radhët e PDK, 89 nga LDK, 62 nga AAK, 55 nga VV, 35 nga NISMA dhe 11 nga partitë e minoritare. Në kuadër të debateve televizive të zhvilluara gjatë kësaj periudhe, 78% e pjesëmarrësve ishin burra, ndërsa vetëm 22% ishin gra. Sa i përket hapësirës së subjekteve politike në kronikat e zgjedhore për periudhën 03-05 shkurt, të dhënat e DnV-së tregojnë që më së shumti mbulueshmëri ka pasur LVV me 79 minuta, pastaj LDK me 77 minuta, AAK me 68 minuta, NISMA me 60 minuta, PDK me 55 minuta, Lista Serbe me 8 minuta dhe partitë e tjera me 23 minuta me rreth 372 minuta në total. Në kuadër të kronikës zgjedhore, hapësira që iu ofrohet grave është shumë e vogël vetëm 13%.Kurse sa i përket minutazhës së spoteve reklamuese të subjekteve politike përfshirë edhe hapësirën e sponsorizuar nga takimet e partive të transmetuara në TV, të dhënat e monitorimit nga 8 televizione tregojnë se prinë LDK me 209 minuta, NISMA me 206 minuta, PDK me 150 minuta, AAK me 84 minuta, VV me 8 minuta dhe SDU me 1.5 minuta. Edhe në këtë rast, gratë kanë vetëm 19% të hapësirës në minutazhin e spoteve reklamuese të subjekteve politike.DnV ka evidentuar raste kur reklamat e subjekteve politike nuk kanë qenë të sponsorizuara në 24 raste ku 21 prej tyre janë shfaqur në RTK1. Ndërsa sa i përket, minutazhës së livestreamit në facebook në 9 portaleve të monitoruara, prinë NISMA me 537 minuta, LVV me 418 minuta, pasuar nga LDK 373, AAK 315 minuta dhe PDK me 128”
Rekomandimet e DnV-së
DnV dënon ashpër papërgjegjshmërinë nga ana e subjekteve politike të cilat po vënë në rrezik shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Grumbullimet e mëdha pa përfillje të masave, mund të shkaktojë pasoja të cilat institucionet nuk do të mund t’i përballojnë, as në aspektin shëndetësor dhe as në atë ekonomik. DnV iu thirrje subjekteve politike që të respektojnë në mënyrë striktë të gjitha masat anti-Covid gjatë zhvillimit të aktiviteteve të tyre. Gjithashtu, DnV kërkon nga inspektoriatet komunale të shqiptojnë dënime tek të gjithë shkelësit pa përjashtim.Subjektet politike gjatë fushatës zgjedhore kanë për obligim që të raportojnë tek KKZ (Këshillat Komunale të Zgjedhjeve) secilin tubim që mbajnë. Mos raportimi i tubimeve konsiderohet shkelje, prandaj i ftojmë subjektet politike të mos e shkelin rregullin zgjedhor numër 13, duke ofruar transparencë për aktivitetet e tyre zgjedhore si dhe qasje për të monitoruar aktivitetet e tyre.Gjatë kësaj periudhe, DnV ka vërejtur dy spote reklamuese të subjekteve politike përkatësisht nga AAK dhe Nisma që janë në kundërshtim të plotë më Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Neni 33 paragrafi 1 shkronja L, thotë në mënyrë të qartë se ndalohet gjuha e urrejtjes apo nxitja e urrejtjes kundrejt personave të tjerë. DnV thërret subjektet politike të tërheqin spotet reklamuese me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së urrejtjes. DnV kërkon gjithashtu nga Komisioni i Pavarur i Mediave që të jetë në krye të detyrës sa i përket mbikëqyrjes së akteve ligjore në bazë të të cilave janë të rregulluara mediat në Kosovë.