Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim (DnV), ka vlerësuar se gjetjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga verifikimi i 2% të vendvotimeve për votat e kandidatëve dëshmojnë për mangësi serioze në procesin e numërimit, të cilat, sipas tyre, cenojnë besueshmërinë dhe integritetin e rezultateve zgjedhore.
Në komunikatë, DnV thekson se ndonëse rezultati për subjektet politike nuk vihet në dyshim, saktësia e numërimit të votave preferenciale për kandidatët është thelbësore.
“Saktësia e numërimit të votave preferenciale për kandidatë është element thelbësor i vullnetit të votuesve dhe pjesë përbërëse e rezultatit zgjedhor”, thuhet në reagim.
Sipas DnV-së, konfirmimi i dallimeve të konsiderueshme në votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit, bazuar vetëm në 2% të mostrës së vendvotimeve, tregon për probleme serioze strukturore.
“Këto mospërputhje përjashtojnë mundësinë që të jenë pasojë e gabimeve të izoluara njerëzore”, vlerëson misioni vëzhgues.
DnV ka reaguar edhe ndaj vendimit të sotëm të KQZ-së për rinumërimin e 10% të vendvotimeve në nivel vendi dhe rinumërimin e 100% të vendvotimeve në 10 komuna – Prizren, Ferizaj, Skenderaj, Shtime, Vushtrri, Dragash, Mamushë, Kaçanik, Leposaviq dhe Ranillug – që në total përbëjnë rreth 36% të vendvotimeve në Kosovë. Sipas tyre, kjo masë është e pamjaftueshme.
“Rinumërimi i vetëm një të tretës së vendvotimeve mund të prodhojë ankesa dhe kërkesa të reja për rinumërim të vendvotimeve të tjera, duke e vonuar edhe më tutje procesin”, thuhet në komunikatë.
Në këtë kontekst, Demokracia në Veprim rekomandon rinumërim të plotë të votave të kandidatëve në të gjithë vendin, me qëllim të sigurimit të kredibilitetit të procesit dhe rritjes së besimit të publikut në rezultatet zgjedhore. Po ashtu, DnV kërkon nga organet e drejtësisë që të fillojnë hetimet për të gjitha rastet ku ka dyshime për keqpërdorim të procesit të numërimit.
Misioni vëzhgues rithekson se prioritet nuk duhet të jetë shpejtësia e shpalljes së rezultateve.
“Qëllimi kryesor nuk duhet të jetë përshpejtimi i shpalljes së rezultateve, por sigurimi që çdo votë e qytetarit të numërohet saktë dhe të reflektohet drejt në përbërjen e institucioneve të ardhshme”, thuhet në komunikata e DnV-së.