Koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV), një ditë para mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve lokale ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka shpalosur planin e kësaj organizate për monitorimin e zgjedhjeve që do të mbahen nesër si dhe ka prezantuar të gjeturat nga fushata e balotazhit.
Artan Murati nga ky koalicion, ka thënë se raundi i dytë i fushatës ka qenë më i qetë në krahasim me raundin e parë.
Sipas Muratit, edhe këtë herë pjesëmarrja e grave në fushatë ka qenë e ulët.
” Fushata parazgjedhore ka filluar para afatit zyrtarë të fushatës. Kësaj radhe ka pasur tendenca organizimi, ka pasur përdorim të resurseve publike nga partitë politike. Gjuha e urrejtjes ka qenë më e qetë. Kemi pasur vetëm një rast nga 166 aktivitete. Pjesëmarrja e fëmijëve ka qenë më i vogël se në raundin e parë . 444 fëmijë ishin prezent nga 28 raste të zbuluar nga vëzhguesit e DnV”
“Pjesëmarrja e grave është e ulët. Pikë së pari numri i kandidatëve gra është i ulët, kurse vetëm 19% e pjesëmarrëse në fushatë kanë qenë gra. Mediat kanë qenë prezentë në 45% në gjithë fushatën zgjedhore. Fushata zgjedhore ka pasur qetësi”, ka thënë Murati.
Sa i përket monitorimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, Artan Murati bëri të ditur se do të kenë 1800 vëzhgues.
“Do të kemi rreth 1800 vëzhgues afat shkurtër në të gjitha komunat që mbahen nesër. Kemi edhe vëzhgues afatgjatë dhe ekipe mobile”, ka thënë Murati.
Ndër të tjera, Murati ka kritikuar KQZ-në lidhur me mos efikasitetin e kësaj të fundit në pajisjen e vazhduesve të DnV-së por edhe të partive politike me akreditimet e nevojshme.