DnV: Në Vushtrri e Obiliq po bëhet thirrje për bojkotim të procesit zgjedhor

Prishtinë | 19 Nën 2017 | 14:33 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Demokracia në Veprim (DnV), për herë të dytë ka dalur me konferencë për medie, për të raportuar parregullësitë e procesit zgjedhor.

Veton Muja, anëtar i bordit në DnV, tha se numri i qytetarëve që kanë shfrytëzuar të drejtën e votës, deri në këtë orë është më i vogël se në zgjedhjet e kaluara, raporton Ekonomia Online.

Muja tha se kjo gjë po vie si rezultat që në garë janë dy kandidatë. Ai tregoi së në Vushtrri dhe Obiliq, po bëhet thirrje për të bojkotuar procesin zgjedhor.

” Deri në orën 12:00, sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, për të votuar kanë dalë 145,126 qytetarë me të drejtë vote, përkatësisht 10.7% e të gjithë votuesve me të drejtë vote.Dalja e votuesve në zgjedhje në komunat më të mëdha të Kosovës: Gjakovë (12.6%), Prishtinë (13.19%), Prizren (8.56%), Mitrovicë (11.34%), Gjilan (7.88%), Ferizaj (11.24%)”, tha Muja.

Ai tregoi se votimi familjar në këto zgjedhje është më i vogël.  Muja tregon se në 21 vendvotime kanë hasur fotografimin e votës dhe asistimin e votuesve për të votuar më shumë se një herë.

Derisa në shifra ka përmbledhur gjithë parregullësitë e shënuara.

Parregullsitë më të shpeshta që po e përcjellin procesin e votimit në terren deri në orën 12:00 janë:

Vështirësitë e votuesve për ta gjetur emrin e tyre në Listën e Votuesve
Këto vështirësi po e përcjellin edhe këtë proces zgjedhor. Ankesa lidhur me Listën e Votuesve janë raportuar në 107 vendvotime, ose 6% të vendvotimeve. Komunat ku është shënuar ky problem janë: Podujevë me 15 vendvotime, në Mitrovicë në 12 vendvotime; Gjakovë dhe Prishtinë me nga 10 vendvotime.

Votimi familjar
Gjithsej 68 vendvotime, ose në përqindje 3.8 % të të gjitha vendvotimeve. Prijnë komunat: Ferizaj (në 17 vendvotime), Gjakova (në 8 vendvotime), Mitrovica (në 5 vendvotime).

Fotografimi i votës

Është evidentuar në 27 vendvotime në nivel vendi, përkatësisht 1.5% të të gjitha vendvotimeve. Në komunën e Prishtinës në 6 vendvotime, në Gjakovë në 4 vendvotime dhe në Podujevë në 3 vendvotime.

Asistimi i votuesve më shumë se një herë

Gjithsej 19 vendvotime (rreth 1 % të vendvotimeve). Prijnë komunat: Suhareka ( në 4 vendvotime), Prishtina (në 3 vendvotime) dhe Gjakova, Ferizaj dhe Mitrovica në nga 2 vendvotime.

Raste të votimit jashtë kabinave të votimit (ose publikimit të votës)

Gjithsej në 17 vendvotime (ose në rreth 1% të vendvotimeve). Në komunat: Prizren, Suharekë dhe Podujevë në nga 3 vendvotime.
(Rahovec dhe Klinë në nga 2 raste; Mitrovicë, Gjakovë, Gjilan dhe Obiliq me nga një rast).

Prania e personave të paautorizuar në vendvotime

Është evidentuar në 12 vendvotime (rreth 0.7 % të vendvotimeve). Prijnë komunat: Podujevë në 4 vendvotime, në Mitrovicë dhe Prishtinë me nga 2 vendvotime.
Tentimet për të votuar më shumë se një herë (votimi i dyfishtë)
Gjithsej në 3 vendvotime, në komunat: Podujevë, Klinë dhe Mitrovicë.

Në qendrën e votimit 0803 C në vendvotimin 01R në shkollën “Emin Duraku” në komunën e Klinës dy persona pasi kanë votuar kanë treguar publikisht fletëvotimin para të gjithë të pranishmëve. Një rast i njëjtë është edhe në qendrën e votimit 0810 C në vendvotimin 01R në shkollën fillore “Dëshmorët”, komuna e Klinës, një person pasi ka votuar publikisht ka shpalos votën dhe ka treguar se për kë ka votuar.

Në qendrën e votimit 1802X në vendvotimin 03R në shkollën “Naim Frashëri” në komunën e Podujevës, në këtë vendvotim janë të pranishëm 6 vëzhgues të partisë LDK. Të njëjtit qëndrojnë brenda në vendvotim.

Në qendrën e votimit 1111 B në vendvotimin 04D në shkollën “Bedri Gjira” në komunën e Mitrovicës, kryesuesi i vendvotimit ka fotografuar derisa një person ka qenë duke votuar.

Në qendrën e votimit 1906 E në vendvotimin 08R në Fakultetin Filologjik në komunën e Prishtinës, një person përkundër që e ka pas gjurmë të lëngut spërkatës në gishtërinj i është lejuar që të votoj. Për këtë është njoftuar edhe KQZ-ja para se të votoj, megjithatë është lejuar votimi.

Në komunën e Gjakovës nga terreni është raportuar që disa herë ka pasur votime me asistencë, ndërsa asistimi nuk është bërë sipas rregullave që parashihen me ligj. Në ato vendvotime personi ka votuar për veten e tij dhe për personin që ka asistuar.

Në përgjithësi në lokalitetet me shumicë serbe, banorëve të komunitetit serb po u bëhet thirrje për të mos dal për të votuar. Raste të tilla janë raportuar në komunën e Vushtrrisë përkatësisht në fshatrat Grac dhe Banjskë dhe në komunën e Obliqit.

DnV  ka ftuar qytetarët të dalin në votime dhe kështu të bëhen pjesë e vendim-marrjes dhe krijimit të politikave që janë në funksion të përmirësimit të mirëqenies dhe jetës së tyre.

 

Të ngjashme