Demokracia në Veprim (DnV) vlerëson se rinumërimi i plotë është i pashmangshëm, sidomos tani kur gjetjet e deritanishme krijojnë bazë të mjaftueshme që organet e drejtësisë ta trajtojnë këtë çështje me prioritet dhe me një qasje të koordinuar dhe hetim gjithëpërfshirës në nivel vendi.
“Një javë pas publikimit të gjetjeve të para dhe pas konfirmimit të devijimeve masive në numërimin e votave preferenciale për kandidatë në disa komuna, shmangia nga vendimi për një rinumërim të plotë në nivel vendi po e thellon krizën e besimit në integritetin e procesit zgjedhor. Devijime të konsiderueshme janë evidentuar jo vetëm në komunat ku është bërë rinumërim i plotë, por edhe në një pjesë të komunave, vendvotimet e së cilave janë të përfshira në mostrën prej 10%. Kjo tregon se fenomeni nuk është i izoluar dhe se përmasa reale e shtrembërimit të votës së kandidatëve nuk mund të vlerësohet me siguri përmes rinumërimeve selektive. Në këtë kontekst, rinumërimi i pjesshëm, sado i zgjeruar, nuk garanton besueshmërinë e rezultatit përfundimtar. Vetëm një rinumërim i plotë i votave preferenciale në të gjitha komunat mund të sigurojë se vullneti i votuesve është reflektuar saktë dhe se nuk ka vendvotime të mbetura jashtë verifikimit, të cilat mund të ndikojnë në renditjen dhe mandatin e kandidatëve. Kjo mbetet mënyra e vetme për rikthimin e besimit publik dhe për mbylljen përfundimtare të çdo dileme mbi legjitimitetin e rezultateve”, thuhet në reagimin e DnV-së.
Ata kërkojnë edhe hetim.
“Paralelisht, DnV vlerëson se gjetjet e deritanishme krijojnë bazë të mjaftueshme që organet e drejtësisë ta trajtojnë këtë çështje me prioritet dhe me një qasje të koordinuar dhe hetim gjithëpërfshirës në nivel vendi. Një qasje e tillë do të mundëson sqarimin e përgjegjësive individuale, por edhe identifikimin e çdo modeli të mundshëm të veprimeve të koordinuara që mund të kenë cenuar integritetin e numërimit. Në mënyrë të veçantë, DnV vlerëson se hetimi duhet të shtrihet përtej nivelit teknik të procesit të numërimit. Modelet e përsëritura të devijimeve në favor të kandidatëve të caktuar brenda dhe nëpër komuna të caktuara, krijojnë bazë të arsyeshme për dyshimin se këto nuk janë produkte të gabimeve njerëzore apo të rastësisë, por të veprimeve të qëllimshme të komisionerëve. Për rrjedhojë, edhe kandidatët që rezultojnë përfitues nga këto mospërputhje dhe manipulime duhet të jenë pjesë e hetimeve, në mënyrë që të sqarohet nëse ka pasur nxitje, koordinim apo përfshirje direkte apo indirekte në manipulimin e votës”, përfundon reagimi.