DnV thotë se ka anuluar misionin e vëzhgimit për zgjedhjet në Podujevë

Prishtinë | 12 Mar 2020 | 19:58 | Nga Ekonomia Online

Rrjeti i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” ka njoftuar se ka anuluar misionin e vëzhgimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës.

Përmes një postimi në Facebook, ata kanë njoftuar se ky vendim ka ardhur për shkak të situatës me virusin Covid-19, me qëllim të garantimit të shëndetit të vëzhguesve.

“Duke qenë se procesi i votimit në thelb është aktivitet publik dhe në të involvohet një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, DnV vlerëson që është e domosdoshme që të merren masat e nevojshme për parandalimin e shpërndarjes së këtij virusi”, thuhet në njoftim.

Ata tutje kanë kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi, që ta rishqyrtojë vendimin për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

“Prandaj, DnV kërkon nga Presidenti i vendit, që bazuar edhe në rekomandimet e institucioneve shëndetësore, në bashkëpunim me Qeverinë, partitë politike garuese dhe KQZ-në, të rishqyrtojë vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të komunës së Podujevës”, thuhet në njoftim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme