Trajneri i Kosovës, Franco Foda dhe portieri Aro Muriq mbajtën konferencë për media para ndeshjes me Slloveninë, që do të zhvillohet nesërmbrëma, më 10 tetor nga ora 20:45, raporton Ekonomia Online.
Foda i pyetur nga gazetarë se si do të jetë ndeshja me Slloveninë, tha se ekipi është përgatitur, derisa nuk tregoi për pritshmërite e rezultatit.
“E kemi një grup mjaft të balancuar edhe sipas mendimit tim ne po luajmë në shtëpi dhe skuadra ka një vetëbesim shumë të mirë. Ne do të punojmë dhe do të vazhdojmë dhe ne ditën e fundit dihet se kush do ta zë vendin e parë, vendin e dytë dhe të tretë“, tha ai.
Rreth mungesës se lojtareve dhe si do t‘ia dalë nesër Kosova, Foda tha se do të mund t’ia dalim me gjithë mungesat.
“Amir Rrahmani, kapiteni është ndër lojtarët më të mirë. Edhe Dullovi na mungon në mbrojte, por ne kemi treguar edhe kundër Suedisë se mund t’ia dalim. Këta lojtarë që kemi kanë treguar që mund t’ia dalim në ndeshjen e nesërme me Slloveninë. Ekipi është stërvitur shumë mirë. Për ne është me rëndësi që nga minuta e parë të luajmë me shume pasion“, tha Foda.
