Kur mendojmë për vjeshtën, të gjithëve na kujtohet aroma e gështenjave të pjekura e cila përhapet nëpër rrugë sapo të hyjmë në tetor. Përveç se është shumë e shijshme dhe e dobishme, gështenja sjell edhe shumë veçori shëruese.
Në natyrë dallojmë gështenja të egra dhe të buta, e ngrënshme është vetëm gështenja e butë, por shëruese janë të dyjat. Çaji nga gështenja e egër ka efekt shumë të dobishëm për problemet respiratore, zbut simptomat e bronkitit dhe astmës, ndihmon trajtimin e venave të zgjeruara dhe celulitit, dhe pikërisht për këtë arsye është pjesë përbërëse e shumë kremrave, transmeton Koha.net.
Gështenja është e përbërë kryesisht nga niseshteja, por nuk përmban gluten, prandaj edhe është ushqim kaq i popullarizuar kohët e fundit. Ajo ka relativisht pak kalori, më pak yndyrë, por shumë minerale, vitamina dhe fitonutrientë. Është një burim i mirë i fibrave dietale, duke siguruar 8.1 gramë në 100 gramë fruta, gjë që është rreth 21 për qind e dozës së rekomanduar ditore. Dihet shumë mirë se fibrat ulin kolesterolin dhe kufizojnë absorbimin e kolesterolit në zorrë.
Gështenja është veçanërisht e pasur me vitaminë C, e cila në dimër është shumë e rëndësishme. 100g gështenja përmbajnë rreth 43 mg të vitaminës C, gjë që është madje 72 për qind e dozës së rekomanduar ditore.
Përveç vitaminës C, gështenja është shumë e pasur me acid folik, veçanërisht i rëndësishëm për gratë shtatzëna dhe foshnjat. Nga mineralet aty gjenden hekuri, kalciumi, magnezi, fosfori dhe zinku.
Përzgjedhja dhe ruajtja
Gështenja është një bimë sezonale e cila mund të gjendet tek ne nga tetori deri në dhjetor. Zgjidhni fruta më të mëdha dhe të sapombledhura, meqë jetëgjatësia e tyre është mjaft e shkurtër pas vjeljes dhe është e rëndësishme që ta përdorni atë sa më parë. Kur të blini gështenja, kërkoni nga shitësi që t’ua presë një, nëse mishi është i bardhë, gështenja është e shëndetshme dhe e freskët.
Sa i përket ruajtjes së gështenjave, ato duhet të trajtohen më shumë si fruta dhe perime sesa si produkte arrore. Gështenjën ruajeni në frigorifer.
Përdorimi në ushqim
Gështenja konsiderohet ushqim tradicional i indianëve, dhe ata e kanë përdorur atë në kohët e lashta siç e përdorim ne tani pataten.
Gështenja mund të hahet e papërpunuar dhe e zier, në gjellëra të ëmbla apo të njelmëta. Ajo shkon shumë mirë me mish pule dhe gjeldeti dhe është një përbërës shumë i shpeshtë i mbushjeve të ndryshme të mishit. Nga gështenja mund të bëni edhe krem-supa të shijshme dhe dezerte të mrekullueshme, kremra, ëmbëlsira dhe madje edhe akullore.