Dodë Gjergji: Votoni kandidatët me duar të pastra

Prishtinë | 05 Qer 2017 | 19:43 | Nga

Me rastin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, përmes një kumtese, ka bërë të ditur se “me kujdesin ndaj vendit dhe së ardhmes sonë të përbashkët, po e përcjell procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që po zhvillohet në Kosovë”.

“Të shtyrë nga ky kujdes, si dhe nga dashuria për vendin dhe për besimtarët tanë, të cilët janë pjesë e këtij procesi, i ftojmë ata që kanë përgjegjësinë për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve dhe konkurrentet në to, që të kujdesen për mirëvajtjen e procesit në frymën e konkurrencës së ndershme, sidomos të respektohet vullneti qytetar i shprehur me votën e lirë”, thuhet në deklaratën e Ipeshkvit të Kosovës.

“E kuptojmë drejt dëshirën e pjesëmarrësve në garë për të fituar sa ma shumë mbështetës ditën e votimit, në mënyrë që të mund t’i realizojnë programet politike dhe t’i jetësojnë zotimet e tyre nëpërmjet qeverisjes së vendit. Por, njëkohësisht shprehim shqetësimet tona për dukuritë që nuk janë në frymën e duhur të tolerancës, bashkëjetesës dhe respektit ndërnjerëzor. Këndej, u drejtohemi besimtarëve tanë, të gjithë qytetarëve të Kosovës, institucioneve të vendit, partive politike dhe të gjithë faktorëve të tjerë të përfshirë në këtë proces, që të garojnë në këto zgjedhje duke e ruajtur kthjelltësinë e mendjes dhe qetësinë e zemrës, për të vepruar me maturi. Inkurajojmë të gjithë që të shmangin fjalorin provokues, fyes dhe denigrues ndaj kundërkandidatëve, pa harruar se, pas 11 qershorit, duhet të vazhdohet bashkëjetesa vëllazërore në shtëpinë tonë të përbashkët dhe ushtrimi i përgjegjësive për të ardhmen tonë europiane”, thuhet në deklaratë.

“Kemi vënë re se, në disa raste, është përdorë feja si mjet për të rritur mbështetës. Kjo për ne është e papranueshme e për të ardhmen tonë shumë e dëmshme. Duam t’ju kujtojmë që besimtarët tanë, qytetarët e Kosovës në përgjithësi, presin qeverisje më të ndershme, të nesërme më të mirë për fëmijët e tyre, po edhe përfaqësues më të denjë, pa u ndikuar fetarisht në këtë proces politike”.

“U bëjmë thirrje priftërinjve tanë, po edhe të gjithë shërbyesve të tjerë të të gjitha komuniteteve fetare në Kosovë, që ta shfrytëzojnë të drejtën qytetare për të votuar, të mos përfshihen në aktivitetet e partive politike dhe të mos lejojnë që besimtarët të bëjnë fushatë brenda objekteve të kultit, sipas frymës së traditës së vëllazërisë sonë dhe të Shtetit laik”, thuhet më tej në deklaratën e Ipeshkvit të Kosovës.

“Gjithashtu, u bëjmë thirrje besimtarëve tanë dhe qytetarëve në përgjithësi, që ditën e zgjedhjeve të dalin e t’i votojnë ata persona që janë zemërpastër, që i kanë duart e papërlyera dhe që kanë vizion të qartë në të mirë të qytetarëve tanë, në ujdi me qytetarinë europiane, e të cilët do të kenë guximin, urtësinë dhe dijen për t’i uruar sinqerisht fituesit që do ta marrin besimin e qytetarëve”.

“Lusim Zotin që institucionet e dala nga këto zgjedhje të jenë të rregullta, kurse të zgjedhurit të mos humbin kohë duke kalkuluar pushtetin, por t’i përvishen punës për ta drejtuar Shtetin”, ka thënë Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme