Dogana e përkushtuar ta zbatojë vendimin e Qeverisë, për 10 muaj mblodhi 937 milionë euro

Prishtinë | 10 Nën 2018 | 08:09 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dogana e Kosovës do ta zbatojë derisa të jetë në fuqi vendimin e Qeverisë për vendosën e masës mbrojtëse prej 10% për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se vendimi që ka marrë ekzekutiv të martën, ka filluar që të zbatohet në tersi dhe po zbatohet pa asnjë problem.

“Dogana është e thirrur me kodin doganor të akcizës, por edhe në legjislacionin tjetër vetëm zbatohen vendimet e qeverisë dhe në rastin konkret me marrjen e këtij vendimi me datën 7 pasdite nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Dogana menjëherë ka filluar zbatimin e saj në praktikë dhe është duke funksionuar mirë, ne jemi duke e zbatuar këtë vendim për gjitha produktet që kanë origjinë serbe ose nga Bosnja dhe iu ka vu taksa mbrojtëse 10% në import”, ka shtuar Berisha.

Edhe përkundër vendosjes së kësaj mase produkte serbe vazhdojnë të kryesojnë tregun kosovar, duke përfshirë produktet ushqimore, materialet ndërtimore, por edhe pijet.

Ai tha se viti 2017 ka qenë viti me shifrën më të lartë të importit nga shteti i Serbisë, në krahasim me vitin 2016, vitin që shkoj ka pasur rritje prej 15% të importit nga Serbia.

“Viti 2017 ka qenë viti ku ka arrit vlerën më të lartë, nga ky vend Serbia kemi pas 449 milionë euro vlerë të mallrave të importuara, ndërsa për këtë vit deri më tani kemi diku rreth 380 milionë euro vlerë të importuara”, tha Berisha.

“Nëse marrim vitet paraprake 2017 me 2016 kemi pas rritje prej 15% të importit nga Serbia në krahasim me vitin 2016, ndërsa këtë vit, trendi është i njëjtë kjo tregon se nuk ka rritje të vlerës më shumë nga Serbia nga aspekti i vlerës”, tha ai.

Berisha i tha EO se për dhjetë muaj të vitit 2018, Dogana ka mbledhur 937 milionë euro të hyra, që i bie 22 milionë më shumë se sa periudha e njëjtë e vitit 2017.

“Për 10 muaj të këtij viti, Doganat kanë mbledhur 937 milionë euro që është mbi 3% më shumë nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar, ose në aspektin nominal kemi diku 22 milionë më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar, kjo tregon një performancë të mirë në raport me të hyrat dhe projeksionet që i ka dogana për vitin 2018”, tha Berisha.

Berisha tha se Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) këtë vit pritet të mbledh më shumë të hyra, kjo si pasojë e politikave fiskale që kanë hyrë në fuqi këtë vit nga Qeveria e Kosovës, ndërsa Doganat do të orientohen më shumë në fushën e sigurisë dhe luftimin e kontrabandës.

“Marrë parasysh politikat fiskale që janë në fuqi këtë vit nga Qeveria e Kosovës ku një numër i madh i produkteve të cilat importohen për proces prodhimit janë liruar nga taksat në import nga taksat doganore, TVSh dhe taksa e akcizës me qëllim ndihmës së prodhueseve vendor”.

“Kjo ka ndikuar në të hyrat e doganës për këtë vit dhe kjo pjesë e cila është liruar nga dogana sa i përket TVSh-së pritet të mblidhet në brendi nga Administrata Tatimore d.m.th pjesa e TVSh-së që ka qenë e planifikuar të mblidhet në kufi tash mblidhet në brendi, kjo tregon që pritjet janë që Administrata Tatimore ta mbledh këtë TVSh që e ka liruar dogana”, tha ai.

Berisha tha se që nga fillimi i këtij viti e deri më tani, Doganat kanë arritur të kenë 1600 zbulime të mallrave kontrabandë dhe vepra tjera penale në gjitha pjesët e Kosovës, përfshirë edhe pjesën veriore.

Ai shtoi se Doganat operojnë në ato zona ku ka rrezikshmëri më të lartë në mbrojtje të të hyrave, por edhe në dukuritë tjera në mallrat e falsifikuara, kontrabanduara dhe të tjera.

“Këtë vit kemi pas rezultate dukshëm më të mira, ku deri sot kemi mbi 1600 zbulime të mallrave kontrabandë, kundërvajtje doganore, por edhe veprave penale, kemi rritje të zbulimeve si nga aspekti i vlerës edhe nga numri i zbulimeve, kjo tregon rritjen e efikasitetit të doganave në luftën kundër ekonomisë joformale por edhe të kontrabandës”, tha ai.

Të ngjashme