Në Odën Ekonomike të Kosovës ka qëndruar sot një grup i fermerëve dhe prodhuesve kosovarë që merren ekskluzivisht me prodhimin e qepëve dhe patateve, ku shprehën shqetësimin e tyre për vështirësitë e eksportit të prodhimeve “Made in Kosova” në Shqipëri.
Këta prodhues janë ballafaquar me këto probleme edhe në të kaluarën, por gjithnjë duke menduar se këto sfida i takojnë të kaluarës pasi që janë organizuar debate të shumta dhe takime, qoftë në nivel të presidentëve apo edhe ministrave, por problemet për bashkëpunim me Shqipërinë vazhdojnë edhe më tutje.
“Doganat e Shqipërisë kanë vendosur një rregull të ri, ku për patatet dhe qepët e Kosovës të rritet referenca tregtare nga 0.14 në 0.18 euro, që nënkupton një pamundësi konkurruese në tregun e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e OEK-ut.
Sipas Odës Ekonomike të Kosovës është shqetësuese kur masa të tilla kundër produkteve kosovare ndërmerren në kohën e sezonit turistik, ku pjesa dërrmuese e vizitorëve janë nga Kosova, dhe në prag të takimeve dhe Samiteve Rajonale dhe Evropiane ku promovohet bashkëpunimi ekonomik, duke eliminuar barrierat e të bërit biznes si parakusht i integrimit ekonomik në familjen evropiane.
“Për këtë problematikë është e njoftuar edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me qëllim të shfrytëzimit të mundësive dialoguese me homologët nga Republika e Shqipërisë që këto eksperimente me prodhimet kosovare nga ana e Shqipërisë të mos përsëriten më”, thuhet në komunikatën e OEK-ut.
Në këtë drejtim OEK ka përcjell edhe dokumentet origjinale që dëshmojnë një hap të tillë nga ana e Doganave të Republikës së Shqipërisë.