Dogana e Kosovës thotë se gjatë muajit nëntor 2016 ka vazhduar aktivitetin në terren me qëllim kontrollin e subjekteve që operojnë me lojëra fati.
Gjatë nëntorit janë kryer kontrolle në disa lokacione të Kosovës. Në fokus të kontrollit kanë qenë qyteti i Prishtinës, Prizrenit dhe Podujevës.
Si rezultat i këtyre kontrolleve janë hasur duke ushtruar veprimtari pa licencë 12 pika basti për të cilat janë lëshuar gjoba në shumë prej 20 mijë e 160 euro.
Gjithashtu janë sekuestruar 11 aparate të palicencuara që dyshohet se janë të kontrabanduar, pasi që palët nuk kanë arritur të prezantojnë ndonjë dokumentacion lidhur me prejardhjen e tyre.
Gjatë kontrolleve në terren janë hasur duke operuar edhe lojëra të ndaluara me ligj në Republikën e Kosovës si “Keno” dhe “Racing Dogs”, me ç‘rast janë sekuestruar 9 pajisje përmes të cilave është zhvilluar ky aktivitet.
“Aksionet e muajit nëntor tregojnë qartazi përkushtimin e Doganës që përmes kontrolleve dhe aktiviteteve tjera hetimore ka arritur të vendos kontroll të rreptë në tërë territorin e Kosovës”, thuhet në një komunikatë të Doganës.
Raporti i këtij viti tregon se Dogana deri tani ka sekuestruar pajisje si në vijim:
227 aparate të palicencuara
165 pajisje për lojëra “Keno” dhe “Racing Dogs”
126 pika basti të palicencuara.
Shuma e gjobave të shqiptuara arrin në 312 792 €, kurse vlera e aparateve të sekuestruar llogaritet të jetë mbi 500 000 €.