Njësitë e Doganës e Kosovës në bashkëpunim me njësitë Policore në rajonin e Ferizajt gjatë javës së kaluar por edhe gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar aksionin për parandalim e kontrabandës me duhan të papërpunuar.
Siç njofton Dogana, në dy aksione të ndara janë kapur afër 7 tonë duhan, sasi kjo e futur ilegalisht në Kosovë.
“Në rastin e parë, Dogana e Kosovës së bashku me njësit policore në fshatin Dardani të Ferizajt kanë ushtruar kontrolle në 2 lokacione ku kanë gjetur dhe sekuestruar mallrat (duhan) pa asnjë mbulese dokumentare ku sasia ishte afër 5.5 tonë”, thuhet në njoftim.
“Aksioni tjerët u zhvilluar dje në fshatin Talinoc i Muhaxherve në Ferizaj ku gjatë kontrollit të një lokacioni janë kapur 1.1 ton duhan i papërpunuar”, thuhet më tej në njoftim.
Totali i këtyre aksioneve ishte:
1. Duhan në fletë i papërpunuar – 7 tonë
2. Duhan i grirë i përpunuar – 100 kg
3. Makinë për grirje të duhanit – 2 copë.
Dogana ka kontaktuar me prokurorët kompetent të rajonit të Ferizajit për vazhdimin e mëtejmë të rastit.