Dogana e Kosovës njofton se mbrëmë ka parandaluar kontrabandën nga regjioni i veriut, ku një furgon transportonte pije alkoolike me rreth 1 500 litra.
Siç thuhet në njoftimin e Doganës mbrëmë rreth orës 21:00, Njësitë e Doganës kanë ndaluar një automjet transportues “Fiat Ducato” që lëvizte në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë.
Pasi kanë ndalur automjetin është ushtruar kontroll, ku edhe është verifikuar vozitësi nga Mitrovica, derisa në furgon kishte të ngarkuara pije alkoolike “birra” pa dokumentacion përcjellës.
Pas kontrollit është konstatuar gjendja faktike: Pije alkoolike pa mbulesë dokumentacioni përkatës (Birra ”Zajeqarsko” prodhim i Serbisë) – 148 arka x 20shishe x 0.5l total 1 480 litra.
Furgoni dhe mallrat janë konfiskuar deri në përfundimin e procedurave kundërvajtëse. Dogana fton qytetarët që të thërrasin në telefonin 0800 50 095 nëse hasin apo shohin keqpërdorime dhe kontrabandim, sepse vetëm së bashku mund të mbrojmë dhe ndërtojmë shtetin tonë.