Dogana e Kosovës ka arritur të mbledhë të hyra për 16 për qind më shumë sesa vitin e kaluar, si dhe ka shënuar rezultate të mira në luftimin e korrupsionit.
Kështu ka thënë drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Lulzim Rafuna, pas një vizite që i bëri doganës Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.
Me këtë rast, Delawie vizitoi edhe Qendrën e Monitorimit ku u demonstrua se si janë duke u shfrytëzuar pajisjet të cilat dogana i ka pranuar si donacion nga SHBA-ja, pajisje të cilat u tha se e kanë rritur efikasitetin.
Drejtori Rafuna falënderoi qeverinë amerikane për përkrahjen me më shumë se 3 milion dollarë donacione gjatë këtyre viteve, duke ndihmuar që të zhvillohen sistemet dhe ndërtohet një dogane moderne që të luftojë kontrabandën dhe korrupsionin. “Deri më tani kemi rezultate dhe progres në të gjitha fushat. Të hyrat janë për 16% më shumë gjithashtu edhe për 2 % janë tejkaluar planet e parashikuara”.
“Një aspekt tjetër pozitiv është që përkundër ngritjes së të hyrave, ankesat kanë rënë. Kjo tregon qartazi për transparencën që kemi ndërtuar në sistemin e grumbullimit të taksave”, theksoi Rafuna.
Sipas tij, punë e mirë po bëhet edhe në luftimin e korrupsionit. “Së bashku me Ambasadën Amerikane kemi arritur që ta shndërrojmë Doganën, nga një institucion burokratik, në institucion që është në shërbim të biznesit dhe që i shërben shtetit të Kosovës për mbledhjen e të hyrave”.
Nga ana e tij, ambasadori Delawie ka lavdëruar Doganën se po bën punë të shkëlqyer, duke zbatuar ligin dhe kontribuuar drejtpërsëdrejti në zhvillimin e Kosovës.
“Edhe teknologjia më e mirë që do të ishte përdorur këtu nuk do ta bënte punën më mirë sesa njerëzit që punojnë këtu”.
Delawie ka rikujtuar se Departamenti i Tregtisë i ShBA-së e ndihmon Doganën, përfshirë me trajnime profesionale, dhe u zotua se shteti i tij do të vazhdojë ta përkrahë punën në këtë institucion taksambledhës.