Dogana e Kosovës ka zbuluar një rast të deklarimit të pasaktë të mallrave në Zyrën e Doganimit të Brendshëm në Aeroport, gjatë procedurës së zhdoganimit.
Sipas njoftimit të Doganës, gjatë kontrollit të dokumentacionit, zyrtarët doganorë kanë ngritur dyshime lidhur me përshkrimin dhe llojin e mallit të deklaruar si “Polycarboxylate Superplasticizer”.
Për të verifikuar saktësinë e deklarimit, është kryer kontroll fizik i pakos, ku është konstatuar se përshkrimi i deklaruar nuk përputhej me mallin e gjetur.
Në vend të produktit të deklaruar, zyrtarët kanë gjetur produkte medicinale të destinuara për dobësim. Sipas të dhënave të rastit, këto produkte nuk janë të aprovuara për qarkullim në tregun e Kosovës, ndërsa për importimin e tyre kërkohet leja përkatëse nga Agjencia e Kosovës për Produkte Medicinale (AKPPM).
Vlera e mallit është 1,775.90 euro, pa përfshirë detyrimet dhe taksat.
Nga veprimet e ndërmarra është evidentuar se pala ka tentuar të shmangë kontrollin dhe procedurat përkatëse doganore, duke ndryshuar përshkrimin e mallit dhe duke deklaruar të dhëna jo të sakta, me qëllim të shmangies së detyrimeve dhe lejeve të nevojshme për vendosjen e mallit në qarkullim të lirë.
Për këtë rast, Dogana ka ndërmarrë veprimet përkatëse procedurale, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Veprimet e palës janë trajtuar si kundërvajtje doganore, në bazë të Kodit Doganor dhe të Akcizave.