DOKUDAILY sjell në fokus historinë e Michèle Firk, mes kinemasë, miqësisë dhe revolucionit

Prishtinë | 13 Gus 2026 | 10:26 | Nga Ekonomia Online

Si mund të shndërrohet kinemaja në një hapësirë ku krijohen miqësi të vërteta? Dhe a mund të ndihmojë ajo në zvogëlimin e distancës mes njerëzve dhe revolucionit? Këto janë disa nga pyetjet që DOKUDAILY vendos në qendër të numrit të gjashtë, në kuadër të edicionit të 25-të të DokuFest.

Në këtë numër trajtohet edhe historia e Michèle Firk, një figurë që e jetoi me intensitet lidhjen mes kinemasë dhe revolucionit. Ajo dëshironte dy gjëra nga jeta me një përkushtim që dukej se nuk linte shumë hapësirë për kompromis: kinemanë dhe revolucionin.

Firk iu bashkua përpjekjeve të Frontit Nacional Çlirimtar të Algjerisë, duke përdorur dokumente të falsifikuara dhe duke transportuar armë. Ajo shkroi kritika ndërsa jetonte në mënyrë klandestine, organizoi shfaqje të filmave të censuruar dhe udhëtoi drejt Kubës revolucionare.

Ajo ëndërronte gjithashtu të realizonte një film në Guatemalë, ku protagonist do të ishte “populli”. Por në moshën 31-vjeçare, jeta e saj mori një kthesë tragjike. Kur policia guatemalase mbërriti në derën e saj për ta arrestuar, përballë mundësisë së torturës dhe tradhtisë, Firk i dha fund jetës.

Përmes kësaj historie, DOKUDAILY ngre pyetje mbi marrëdhënien mes artit, angazhimit politik dhe marrëdhënieve njerëzore, duke e parë kinemanë jo vetëm si një mënyrë për të treguar histori, por edhe si një hapësirë ku njerëzit takohen, krijojnë lidhje dhe përballen me realitetin.

Numri i gjashtë i DOKUDAILY vjen gjatë DokuFest 2026, që zhvillohet nga 7 deri më 15 gusht në Prizren, duke sjellë në vëmendje histori dhe reflektime që shkojnë përtej ekranit dhe lidhen me mënyrën se si filmi mund të ndikojë në shoqëri dhe në marrëdhëniet mes njerëzve./KultPlus.com

Të ngjashme