Dokument për kujdesin parësor shëndetësor, priten specializime për mjekësinë familjare

Prishtinë | 26 Shk 2019 | 15:49 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Shëndetësisë bashkë me Asociacionin e Komunave të Kosovës, kanë diskutuar lidhur me forcimin e Kujdesit Parësor Shëndetësor (KPSh), raporton Ekonomia Online.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka treguar mbi rëndësinë e dokumentit për kujdesin parësor shëndetësor të komunave, ndërsa ka shpalosur risitë që do të jenë në shëndetësi gjatë këtij viti, ndër to shpallja e specializimeve për mjekësinë familjare.

“Disa gjëra që do ndodhin në mjekësinë primare. Kemi në plan të hartojmë strategjinë për kujdesin e shëndetit primar. Nga projekti shëndetësisë kosovare do fillojë shpërndarja e pajisjeve bazike në komuna, janë 26 komuna ku do shpërndahen. Kemi linjë buxhetore vetëm për mjekësinë primare dhe do fillojmë investimet në shëndetësinë primare. Duhet krijuar listën e pacientëve, pacientët do ta kenë të ditur se tek cilët mjekë të shkojnë. Jemi duke vazhduar projektin nëna dhe fëmijë. Sivjet do shpallim edhe specializimet për mjekësinë familjare”, tha Ismaili.

Ai tha se për herë të parë kanë në dorë një dokument me konkludime të bazuar në fakte.

“Ka pas një mospërputhje të shërbimeve mes komunave sa i përket kujdesit parësor, mënyrës si është ofruar shërbimi. Pajisjet të cilat komunat i kanë por edhe në kënaqshmërinë e pacientëve. Duke i dokumentuar ato dhe duke i paraqitë në raport për herë të parë na është ofruar mundësia të kemi konkluzione të bazuara në fakte”, tha Ismaili.  

Sipas tij, faktor i parë që të ketë sukses është vullneti politik i komunave, duke e quajtur rolin e tyre si të pazëvendësueshëm.

“Disa faktorë që të ketë sukses më të madh të këtij projekti është vullneti politik për këtë projekt. Ky projekt është për komunat tuaja por që na jep mundësinë edhe ne si ministri ta forcojmë kujdesin në shëndetësinë primare. Si projekt për komuna u jep mundësi komunave të dalin me kërkesa buxhetore. Faktor tjetër është që këto dokumente të jenë dokumente strategjike, ta jetësojmë dhe ta shohim një realizim të tij”, tha Ismaili.

Sipas tij, shëndetësia ka nevojë për një konsistencë të investimeve qeveritare.

Ndërsa, ambasadori i Zvicrës, Jean-Hubert Lebet, ka vlerësuar lartë punën e ministrit Ismaili, teksa shtoi se raporti ka qenë i suksesshëm.

“Zvicra ka kënaqësi t’iu mbështes. Sipas OBSh-së kujdesi primar duhet deri 90 për qind ti mbulojë nevojat e pacientëve prandaj është kaq jetik. Nuk ndodhë shpesh që ambasadori zviceran të pohojë për diçka që është premtuar dhe është implementuar. Ju e keni këtë kapacitet ministër. Rezultatet e raportit tregojnë se ka sukses por që ka edhe mungesa. Studimi thekson që ka nevojë të fuqizohet arsimimi dhe edukimi shëndetësor dhe të forcohet roli i KPSh-së për qytetarët”, tha Lebet.

Kryetari i Asociacionit të Komunave, Agim Veliu, ka thënë se duhet të krijohen kushtet sa më të mira për mjekët që të mos ikin nga vendi.

“Është obligim institucional mbase edhe shtetëror që të krijojmë kushte dhe paga për stafin mjekësor që mjekët të mos ikin nga vendi për një mundësi më të mirë jashtë”, u shpreh Veliu.

Debra Stevenson, udhëheqëse e ekipit të projektit, ka thënë se gjatë raportit kanë vërejtur mangësi në disa aspekte, si ato në pajisje, në hapësirat e qendrave mjekësore dhe në barna.

“Karakteristikë e raportit është se kemi shiku nga aspekti i pacientit. Kemi shikuar cilësi nga tri aspekte të ndryshme. E para është se kemi shikuar nga pikëpamja infrastrukturore. E dyta shikon cilësinë nga aspekti i procesit. E treta është kënaqshmëria e pacientit nga shërbimet.  Sa i përket infrastrukturës kemi mbledhë të dhëna nga 98 qendra të mjekësisë. Në disa qendra nuk ka pas qasje të vazhdueshme në ujë të nxehtë p.sh. apo në furnizim me nxemje. Këto janë gjëra thelbësore që duhet të jenë në dispozicion. Secili institucion mjekësor ka pas diçka që ka munguar”, tha Stevenson.

Ndër të tjera u tha se mjekët nuk kanë pas asnjë informacion për pacientët që kanë vizituar dhe se është vërejtur se ka pasur respektim të ulët të udhëzimeve në lidhje se çfarë kujdesi duhet tu ofrohet pacientëve.

Të ngjashme