Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media ka thënë se institucionet e Kosovës kanë punuar intensivisht në drejtësinë tranzicionale dhe adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka theksuar se është mbledhur një sasi e konsiderueshme e materialeve, dhe ky dokumentacion, siç është shprehur ministrja, “është një armë e fuqishme kundër mohimit dhe manipulimit të Serbisë”.
“Siç jeni në dijeni, një nga prioritetet e qeverisë për drejtësinë ka qenë drejtësia tranzicionale, dhe adresimi i krimeve të kryera në Kosovë dhe vlerave të mbrojtura me të drejtën ndërkombëtare. Gjatë kësaj periudhe qeverisëse kemi ndërmarrë veprime të shumta, dhe janë bërë hapa të rëndësishëm për të ndërtuar themelet e një procesi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës që synon të zbardh të vërtetën e krimeve të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë, si dhe të ofroj drejtësi për viktimat”.
“Në këtë drejtim për katër vjet me radhë ne kemi punuar me përkushtim të plotë për të institucionalizuar kujtesën kolektive dhe për tu kujdesur se dëshmitë e krimeve të luftës të ruhen dhe po ashtu të iu transmetohen brezave të ardhshëm. Dhe me bindje të plotë sot mund të ju them se kemi shënuar rezultate të rëndësishme, por po ashtu të prekshme. Fillimisht kemi themeluar dhe funksionalizuar Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë. Ky instituti është funksionalizuar më 10 nëntor të vitit 2023, dhe e konsiderojmë që është një arritje për të cilën jemi krenarë dhe kemi punuar shumë”, , u shpreh ajo tutje.
“Instituti i funksionalizuar tashmë veç tjerash ka për qëllim dokumentimin e krimeve të luftës së fundit në Kosovë, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale nga Serbia. Para disa ditëve instituti ka publikuar raportin njëvjeçar të punës, ku ka treguar progres për një kohë tepër të shkurtër, dhe mes tjerash është mbledhur një sasi e konsiderueshme e materialeve që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Materialet e dokumentuara janë mbledhur nga 67 burime të ndryshme”.
“Ky dokumentacion është armë e fuqishme kundër mohimit dhe manipulimit të historisë tonë apo tendencave për të manipuluar historinë”, ka theksuar Haxhiu.
Ajo ka bërë të ditur se janë ngritur 67 aktakuza në gjykimin në mungesë.
“Kemi 67 aktakuza të ngritur në gjykimin në mungesë. Jemi detyruar që të dallojmë nga e para. E gjithë kjo punë nuk është vetëm objektiv politik, por një detyrë morale dhe historike”, tha Haxhiu.