Dokumentari i David Beckham thyen rekorde shikueshmërie

Prishtinë | 19 Tet 2023 | 12:16 | Nga Ekonomia Online

Beckham, dokumentari në të cilin David dhe Victoria Beckham tregojnë jetën e tyre, ka thyer rekord shikueshmërie në Netflix në Mbretërinë e Bashkuar.

Seriali pati premierën më 4 tetor dhe mblodhi 3.8 milionë shikues gjatë javës së parë, sipas Barb, organi zyrtar i kërkimit të audiencës televizive në Mbretërinë e Bashkuar.

Episodi i dytë i serialit gjithashtu performoi mirë, duke fituar afro 2.9 milionë shikues. Këto shifra janë vetëm për Mbretërinë e Bashkuar dhe përfshijnë vetëm njerëzit që shikojnë dokumentarin në televizor, kështu që ata që shikojnë në pajisje celulare nuk përfshihen dhe kjo është një pjesë e madhe e audiencës së Netflix.

Në këtë dokumentar katërpjesësh të titulluar “Beckham”, pasqyrohet jeta e David me Victoria-n, duke përfshirë martesën dhe romancën e tyre të hershme, si dhe karrierën në futboll e David.

Ndërkohë një nga pjesët që ngjalli më shumë kërshëri ishte pjesë kur Victoria foli për herë të parë për dhimbjen që pësoi pas pretendimeve për lidhjen e dyshuar të burrit të saj, David.

Të ngjashme