Dokumentari, i cili sjell paraskenat e një pune të madhe artistike, që u jep zë viktimave të dhunës seksuale në Kosovë, do të shfaqet në New York.
“The Makeing of Thinking of You” i realizuar nga Anna di Lellio dhe Fitim Shala, të cilët për së afërmi kanë përcjellë punën e artistes kosovare Aleketa Xhafa-Mripa, gjatë realizimit të instalacionit “Mendoj për ty”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ky instalacion, që zuri vend në vitin 2015, kishte për qëllim që t’u japë zë atyre që nuk kanë. Dokumentari do të shfaqet me datën 11 të muajit prill në Universitetin e New Yorkut në kuadër të programit “International Relationshpis” në fakultetin e arteve dhe shkencës.
Xhafa-Mripa nuk do të jetë e pranishme në këtë ngjarje, por ka thënë se është mirë që kjo punë po shfaqet edhe në SHBA.
Një version të asaj që është realizuar në Kosovë, Xhafa-Mripa është duke e realizuar edhe në Britani të Madhe, saktësisht në Londër, në qytetin ku ajo jeton dhe vepron. Ajo tashmë ka mbledhur fustane dhe njëjtë sikur në Kosovë instilacionin ua dedikon viktimave të dhunës seksuale. Ndërkohë Xhafa-Mripa është duke punuar edhe në një instilacion tjetër në Shqipëri. “Edhe muret kanë veshë” titullohet projekti përmes të cilit ajo kërkon që të vërë në pah të pathënat e Shqipërisë komuniste.