Disa dokumente të klasifikuara, të dala në publik, tregojnë se si Kina kontrollon jetën e rreth tre milionë njerëzve, të internuar në kampe masive të paraburgimit, në rajonin Ksinjiang.
Dokumentet u siguruan nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë dhe u publikuan nga 17 media në të gjithë botën.
Qeveria kineze vazhdimisht ka pohuar se kampet në Ksinjiang – rajon i banuar me shumicë ujgure myslimane – ofrojnë arsim dhe aftësim vullnetar.
Qeveria insiston se në këtë mënyrë i mban myslimanët larg ekstremizmit.
Por, dokumentet e publikuara zyrtare tregojnë se si të burgosurit indoktrinohen dhe ndëshkohen.
Sipas tyre, autoritetet përcaktojnë gjithçka, nga prerja e flokëve deri te koha kur të hapen dhe kur të mbyllen dyert në kampe.
Në dokumente kërkohet të rriten disiplinat dhe ndëshkimi për shkelje të kodeve të sjelljes, ndërsa mësimi i gjuhës mandarine të bëhet përparësia kryesore.
Në to po ashtu thuhet se 15,000 njerëz nga Ksinjiangu janë dërguar në kampe vetëm brenda një jave në vitin 2017.
Sophie Richardson, drejtore për Kinën në organizatën për të drejtat e njeriut Human Rights Watch, tha se memorandumet e dala duhet të shfrytëzohen nga prokurorët.
Kina i hodhi poshtë ato, duke i cilësuar si “trillime të pastra dhe lajme të rreme”.