Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbrëmë mbledhje, ku ka miratuar pesë vendime.
Vendimi i parë që ka miratuar Kabineti qeveritar është ai për vazhdimin për tre vite të mandatit të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Qeveria e Kosovës tha se nuk e përkrah nismën e Kuvendit të Kosovës për tërheqjen e mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, që njihet edhe si Trust.
Sipas Qeverisë, tërheqja e mjeteve nga Trusti nuk ndihmon kategoritë në nevojë.
“Qeveria ka dhënë mendimin për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, që nuk e përkrahë këtë nismë legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës është afër qytetarëve, për të ndihmuar përmes rishpërndarjes, rritjes së punësimit, rritjes së mbështetjes në skemat sociale, për fëmijët, gratë dhe të rinjtë, si dhe për fermerët e ndërmarrësinë e vogël e të mesme. Tërheqja e mjeteve nga Trusti nuk ndihmon kategoritë në nevojë, pasi që edhe vet përqindja e fondit pensional të tyre është e ulët. Me kursimin e pleqërisë nuk duhet abuzuar dhe veprimin e tillë, duhet konsideruar si të mangët”, ka njoftuar Qeveria.
Për iniciativën e deputetëve për Projektligjin për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale, ekzekutivi ka thënë se tashmë e ka në agjendë legjislative këtë projektligj.
“Lidhur me nismën për Projektligjin për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale, Qeveria e Republikës së Kosovës, tashmë e ka në agjendë legjislative këtë projektligj, rrjedhimisht nuk e konsideron të nevojshme iniciativën e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për këtë Projektligj”, thuhet në njoftimine e ZKM’së.
Është miratuar edhe vendimi për t’i kërkuar Presidentes së Republikës së Kosovës që të japë autorizimin për Ministren e Drejtësisë, për nënshkrim të Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës, për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan, me qëllim të ekzekutimit të dënimeve për të burgosurit danez.
“Qeveria ka miratuar edhe vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 02/50, si vijon: “ Udhëzimi Administrativ i MMPH-s Nr. 09/2015 për lejen për vendosjen në treg, regjistrim dhe leje të importit të produkteve biocide, mbetet në fuqi deri në krijimin e bazës së re ligjore. Ndryshim plotësim i Vendimit bëhet më qellim të mos krijimit të vakumit juridik”, është vendimi tjetër i Qeverisë.