Deputetja Donika Kada Bujupi ka treguar se si e ka fshehur sprejin për ta futur brenda objektit të Kuvendit të Kosovës në vitin 2016.
E ftuar në një emision në Kanal 10, Bujupi thotë se sprejin për sy e ka fshehur në flokë.
“Ish një nga ditët kur furnizimet mbaruan, Policia veç i identifikojë kanalet edhe s’na lejshin vërrc me bo, gjithë na nxejshin. Mandej i thash Albulenës hajde bre pe provojmë me e shti në flokë. Edhe i bona flokt pungj dhe e vendosa aty. Kur deshta me hy, policia na kontrollojshin edhe folshin me kode. Ja bonën njoni-tjetrit: Dhelpra në lokacion. E pastaj pom ndalin e po ja nis një police me’m hallakat. Po ma bon policja zonja Kada-Bujupi në flokë e ki”, tha ajo.
Ajo pastaj tregon momentin se si avokatja e saj tentoi ta arsyetojë në Gjykatë duke thënë se është sprej për flokë që Kada-Bujupi e përdorë, mirëpo ky tentim i dështoi.
Sipas aktakuzës së ngritur më 7 mars 2017 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Donika Kadaj-Bujupi dhe Aida Dërguti akuzohen për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374 par.1 të KPRK-së.
Kadaj-Bujupi dhe Dërguti akuzohen nga prokuroria se më 1 shtator 2016, në Prishtinë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në hyrje tek holli i Kuvendit, gjatë kontrollit nga pjesëtarët e policisë, të akuzuarës Kadaj-Bujupi i është gjetur dhe konfiskuar një sprej me mbishkrimin “Nato”, ndërsa të akuzuarës Dërguti i është gjetur dhe konfiskuar një gaz lotsjellës, të cilat mjete i kishin vendosur në trup, e të cilat i kanë mbajtur në posedim, në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët.