Nga Gjirokastra, kryeministri Edi Rama ka komentuar vendimin e opozitës për lënien e mandatave.
Gjatë takimit publik “Bashkia që duam”, Rama tha se kjo lëvizje e demokratëve lidhet me frikën e Bashës për një tjetër humbje në zgjedhje.
“Shqipëria ka nevojë të ecë përpara dhe të gjithë së bashku të ecim duke e rritur ritmin dhe patjetër që të kujdesemi dhe për të gjithë miqtë tanë demokratë të cilët u tradhëtuan nga përfaqësuesit e tyre në mënyrën më të habitshme dhe në një mënyrë që historia e demokracive parlamentare nuk e njeh, duke refuzuar mandatin e deputetit. Ata nuk janë bërë popull siç pretendojnë por thjesht kanë tradhëtuar popullin që i ka zgjedhur për të shkuar atje dhe për t’i përfaqësuar. Dua t’jua them të gjithë demokratëve se kjo nuk ka lidhje me ato që thuhen, kjo ka lidhje me ato që dihen. Ata e dinë shumë mirë që ne nuk kanë asnjë shans që të na mundin dhe e thonë edhe vetë”.
“Lulzimi nuk e përballon dot edhe një humbje tjetër se edhe ata që e mbajnë, madje edhe ai që e ka caktuar të rrijë aty, nuk do ta pranonin dot më që të vazhdonin ta mbanin aty. Kështu që thotë më mirë po i iki fare betejës sesa të futem në betejë dhe të dal i humbur. Por do të dalë ai dhe partia e tij bashkë me partinë simotër shumë më të humbur sesa çdo të dilnin të humbur nga zgjedhjet”.