Udhëheqësi i një departamenti në Ministrinë e Drejtësisë, Elbasan Dervishi e fitoi një përballje në KPMShCK ndaj funksionarëve të MD-së. Ata iu kundërvunë duke e çuar në Komision Disiplinor. Ndërkohë, Dervishaj dorëzoi kallëzim penal ndaj tyre, duke përfshirë edhe ministren Albulena Haxhiu. Thotë se krejt kjo po bëhet për shkak të pushtetit të LVV-së për t’i “eliminuar” njerëzit që nuk janë të tyre.
Udhëheqësi i Departamentit për Profesione të Lira në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, Elbasan Dervishaj pas betejës së fituar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) për një vërejtje anti-ligjore të shqiptuar nga MD-ja, tani i është drejtuar Prokurorisë Themelore në Prishtinë po për të njëjtën çështje.
Dervishaj, më 1 shtator ka dorëzuar një kallëzim penal në këtë prokurori ndaj pothuajse krejt kabinetit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Kallëzimi penal që e posedon Paparaci, është dorëzuar kundër ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Blerim Sallahu, zv/ministër i Drejtësisë, Lulzim Beqiri, zv/sekretar i Përgjithshëm i MD-së, Genc Nimoni, shef i kabinetit të ministres së Drejtësisë, Berita Abazi, këshilltare e ministres së Drejtësisë, Imer Shevelli, auditor i Brendshëm në ministrinë e Drejtësisë si dhe ndaj Gjynejt Bikliqi, asistent ekzekutiv.
Një veprim i tillë i Dervishajt i paraprin vendimit të KPMShCK-së, ku ankesa e tij ndaj Ministrisë së Drejtësisë u aprovua në këtë këshill.
Sipas vendimit të KPMShCK-së, që e ka Paparaci bëhet fjalë për një vërejtje që i është shqiptuar Dervishajt nga zv/sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Drejtësisë, Lulzim Beqiri. Ajo ishte bazuar veç në një auditim të veçantë e të brendshëm.
Masa disiplinore ndaj Derivshajt u mor më 13 qershor, kurse KPMShCK-ja e shfuqizoi atë përmes vendimit të shpallur më 11 gusht
Sipas KPMShCK-së, zv/ministri Blerim Sallahu ka kërkuar përmes email-it zyrtar nga Imer Shevelli, auditor i Brendshëm, që ta bëjë auditimin e vijueshmërisë në punë për tre muajt e fundit ndaj Dervishajt. Kërkesa e Sallahut ndodhi më 31 maj.
Ndërkohë, Shevelli, të nesërmen ia dorëzoi raportin me shkrim Sallahut duke thënë se Derivshaj gjatë periudhë 1 mars – 31 maj, e ka përdorur sistemin e vijueshmërisë në punë dhe se ka qenë dy herë në pushim vjetor. Bile, në këto dy raste i njëjti e ka njoftuar se zyrtaren e personelit dhe udhëheqësin e tij. Kurse, në dy rastet e tjera thuhet se nuk është evidentuar gjatë hyrjes në punë.
Këtë auditim të veçantë veç ndaj Dervishajt, KPMShCK-ja e ka vlerësuar se ka elemente të diskriminimit, pasi janë kërkuar dhe ndërmarrë veprime audituese lidhur me vijueshmërinë në punë vetëm për një zyrtar publik, pa ndonjë arsyetim paraprak apo të bazuar.
Rrjedhimisht, kërkesa e Sallahut për auditim ndaj Dervishajt, jo që ka tejkaluar kompetencat e tij, por e ka vendosur këtë të fundit në një pozitë më pak të favorshme sesa nëpunësit e tjerë civilë, për çka është edhe në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Përveç se ky raport ndaj vëllait të tre dëshmorëve të Istogut, përmban të meta ligjore, edhe masa disiplinore e shqiptuar ndaj tij është e paligjshme.
Pasi e fitoi betejën e brendshme me funksionarët e ministrisë së Drejtësisë, atij iu kumtua lajmi se do të dërgohet në Komisionin Displinor. Arsyeja; një postim në Facebook që nuk iu pëlqeu udhëheqësve të MD-së.
Dervishaj, më 17 gusht me anë të një statusi në Facebook njoftoi se se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ka aprovuar kërkesën e tij.
“Pushteti i VV-së provoi të më diskreditoj, diskriminoj, provoi ta ndyj figurën time, ndërsa mori atë që e meritonte, mori përgjigjen nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, po ashtu ka marr përgjigje edhe nga organet tjera të drejtësisë.
Ju mund të vazhdoni të më luftoni, por nuk jeni luftetarë të denjë, sepse keni një histori familjare të PËRLYER”, kishte shkruar ai, teksa në këtë shkrim pati disa kritika ndaj pushtetit. Megjithatë, një shkrim i tillë ka bërë që tash Dervishaj të ketë punë edhe me këtë komision, i cili sipas burimeve të Paparacit, pritet ta ftojë gjatë javës tjetër në seancën disiplinore.
Kërkesën për këtë çështje e ka paraqitur shefi i kabinetit të ministres Haxhiu, Genc Nimoni. Kurse, zv/sekretari Lulzim Beqiri e ka iniciuar procedurën.
Statusit të Dervishajt duket se ia ka parë “sherrin” edhe zyrtari tjetër, Labinot Gashi. Të dy bashkë do të dërgohen në Komisionin Displinor.
Megjithatë pas krejt kësaj katrahure dhe betejës së fituar në KPMShCK, tani Dervishaj ka zgjedhur një rrugë tjetër.
Më 1 shtator, Derivshaj, përmes avokatit të tij, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ndaj gati krejt kabinetit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe vet kësaj.
Krejt kjo lidhet me dyshimet se ndaj tij janë cenuar të drejtat në marrëdhëniet e punës, i është keqpërdorur pozita zyrtare dhe se është penguar në kryerjen e kësaj detyre.
Dervishaj, në një bisedë me Paparacin thotë se është diskriminuar dhe vazhdimisht po diskriminohet nga pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje.
I njëjti i cili ka dorëzuar rreth 46 faqe “me prova rreth diskriminimit që është bërë ndaj tij”, shprehet për mediumin se pavarësisht se ka tjera bindje politike për dallim nga partia në pushtet, po vazhdon të diskriminohet nga ministrja Albulena Haxhiu dhe zëvendësi i saj, Blerim Sallahu.
“Personalisht kam bindje tjetër politike, dhe në vazhdimësi jam diskriminuar nga Blerim Sallahu dhe Albulena Haxhiu, të gjitha pretendimet e mia i ka aprovuar edhe këshilli i pavarur mbikëqyrës, po ashtu të gjitha provat materiale që e dëshmojnë këtë i kam dorëzuar në prokurori”.
Kallëzimi penal, që e ka Paparaci bazohet në vendimin e Këshillit Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK).
Paparaci ka provuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë për këtë çështje, por të dyja institucionet kanë qenë të paqasshme për mediumin.
Elbasan Dervishaj, është një zyrtar i kamotshëm i Ministrisë së Drejtësisë.
Ai më 8 shtator të 2014-s, është emëruar në pozitën ‘Udhëheqës i Departamentit për Profesione të Lira’, që funksionon nën ombrellën e ministrisë së Drejtësisë, që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu.
Dervishaj, i cili vjen nga fshati Zabllaq i Istogut, është vëllai i Menderes, Menhend dhe Mentor Dervishajt. Që të tre janë dëshmorë të rënë në luftën e fundit në Kosovë.