Dorëzohet në Prokurori peticioni “Drejtësi për Kujtimin”, kërkohet të dënohet vrasësi i 11 vjeçarit

Prishtinë | 31 Gus 2020 | 11:18 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aktivistë të shoqërisë civile kanë dorëzuar në Prokurori peticionin bashkë me listën e nënshkruesve “Drejtësi për Kujtimin”, raporton Ekonomia Online.

Gazmend Qyqalla, aktivist i shoqërisë civile tha se në njëvjetorin e vrasjes dhe përdhunimit të 11 vjeçarit nga Fushë-Kosova, kishin nisur një peticion për të kërkuar drejtësi për Kujtimin.

Ai ka sqaruar se peticioni i dorëzuar është nënshkruar nga më shumë se 1 300 qytetarë dhe se përmban tri kërkesa.

“Policia dhe Prokuroria t’i kërkojnë falje publike familjes për shkelje të të drejtave të tij në jetë dhe neglizhim të rastit”.

“Nga Kryeprokurori i Shtetit kërkojmë inicim të hetimeve të pavarura penale si dhe sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për moskryerjen e detyrës zyrtare dhe shkeljen e statusit të barabartë të shtetasve të Kosovë”.

“Si dhe nga Qeveria e Kosovës kërkohet kompensim për shkeljen e të drejtave të njeriut për familjen e Kujtim Veselit”.

Kurse Rina Kika, avokate e familjes Veseli tha se kanë bërë kërkesë për zgjerim të aktakuzës ndaj O.S i dyshuar për vrasjen e Kujtim Veselit, pasi që aty nuk përfshihet dhunimi, por vetëm vrasje e tij.

“Ne e konsiderojmë se aktakuza duhet patjetër të përfshijë edhe dhunimin e Kujtimit në janar 2019, dhe se aktakuza pa përfshirjen e kësaj vepre është e mangët dhe nuk e adreson në plotni përgjegjësinë penale të kryesit”.

“Veçimi i veprimeve kriminale të të Akuzuarit vetëm për datën 11 korrik 2019, do ta çojnte një mesazh të gabuar te dhunuesit seksual të fëmijëve, që vetëm nëse e vrasin viktimën do të ndiqen penalisht, përndryshe mund të dhunojnë fëmijë pa u penguar nga askush”.

“I njëjti mesazh i gabuar do t’i përcillej edhe vetë të Akuzuarit. Të gjitha këto ia kemi thënë Prokurores në kërkesën tonë për zgjerimin e aktakuzës së datës 26 gusht 2020”.    

Ajo ka treguar se seanca e radhës për këtë rast është caktuar me 9 shtator, raporton EO.

“Gjykata Themelore në Prishtinë e ka caktuar seancën e shqyrtimit gjyqësor për akuzën ndaj S.O. për vrasje të rëndë të mërkurën e ardhshme, më 9 shtator 2020”.

“Në këtë seancë ne do të kërkojmë nga gjykata që ta shpallë fajtor dhe ta dënojë të akuzuarin S.O. për vrasjen e Kujtimit meqë kjo vërtetohet përtej çdo dyshimi nga provat e mbledhura nga Policia e Kosovës, Agjencia Kosovare Forenzikës, Departamenti i Mjekësisë Ligjore, dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë”.

Më 11 korrik 2019, poshtë shkallëve të një kompleksi banesor në lagjen “Xhemail Mustafa”b të Fushës Kosovës, ishte gjetur i vdekur 11 vjeçari Kujtim Veseli.

Ai dyshohet se u dhunua seksualisht dhe pastaj u vra.

Të ngjashme