Pak ditë më parë bëri bujë lajmi që peshëngritësi nga Uganda, Julius Sekitoleko, ishte larguar nga Fshati Olimpik, ku ishte vendosur delegacioni i vendit të tij, ditën kur duhej t’i nënshtrohet testit për Covid-19, duke mos dashur të kthehej në vendlindje.
Ai, nëpërmjet një letre, zbuloi se po kërkonte punë në vendin nipon. Disa ditë pas zhdukjes, 21-vjeçari u dorëzua pranë autoriteteve vendase, para të cilave ka zbuluar arsyet që e shtynë të merrte këtë vendim ekstrem.
Para largimit të tij nga Uganda, Sekitoleko nuk kishte paguar qiranë e banesës për rreth një vit dhe përveç kësaj, pronari e kishte kërcënuar se do ta dëbonte nëse nuk do ta shlyente për një periudhë të shkurtër.
Peshëngritësi zbuloi se kishte lënë shtatzënë të dashurën e rij para se të largohej nga vendi. Dhe një nga frikërat e tij më të mëdha u bë realitet, pasi e dashura e tij u dëbua për shkak të qirasë së papaguar.
Qershia mbi tortë është fakti që pronarët e palestrës në të cilën kishte punuar Julius Ssekitoleko nuk e kishte paguar prej një viti, duke e lënë pa qoftë një burim të ardhurash.
I gjendur në këtë situatë, Julius kishte pësuar goditje të rëndë psikologjike. Të gjithë këta faktorë, të mbledhur bashkë, e detyruan 21-vjeçarin të merrte vendimin ekstrem për të kërkuar punë në Japoni, aventurë që përfundoi shumë shpejt.