Romani ”Dosja B” e shkrimtarit dhe historianit nga Prishtina, Jusuf BUXHOVI, kaloi një vit qëkur doli para lexuesve, ishte dhe ngeli ndër librat më të kërkuara jo vetëm në Prishtinë por edhe më gjerë . Autori i mbi 35 librave të zhanreve të ndryshme, që nga novela, monografia, studime historike që nga Kongresi I Berlinit dhe Shqiptarët e deri te tetë vëllimet për Historinë e Kosovës e tri prej të cilave të përkthyera edhe anglisht e që tanimë janë në bibliotekat më prestigjioze në universitetet e SHBA-ve e deri në Ankara të Turqisë, me “Dosjen B” ka bërë një hap më tej duke u marrë me fenomenin e luftës, përkatësisht të një segmenti të vrasjeve që kanë ngjarë në Kosovë në vitet e para, gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë e të cilat si të tilla cilësohen si vrasje me motive politike që fatkeqësisht hetuesia nuk i ka ndriçuar e as hulumtuar “pistat“ që qojnë kah vrasësit dhe urdhërdhënësit.
Buxhovi e pranon se idenë fillin e shtjellimit të kësaj teme për romanin e tij “Dosja B“ e ka marr nga rrëfimi I pazakonshëm i një ish anëtar i SHIK-ut, me emrin Nazim Bllaca, i cili ditën për drekë ka dalë para ca viteve në një nga sheshet e Prishtinës dhe ka pranuar se ka qenë njëri nga vrasësit…
Lidhur me temën dhe efektin që ka dhe do ta ketë “Dosja B“ në Kosovën e këtyre ditëve, zhvilluam një intervistë me autorin e romanit “Dosja B“, z. Jusuf BUXHOVI.
Intervistoi: Esad DUJAKA
Romani “Dosja B” shtjellon ngjarjet e hidhura para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë që emrin e kanë hapur VRASJE ME MOTIVE POLITIKE. Pse e zgjodhët mu këtë temë e cila është e ndjeshme madje edhe e rrezikshme për nga përmbajtja?
Buxhovi: Letërsia dhe arti në përgjithësi nuk njeh tema “të rrezikshme” dhe “të parrezikshme”. Cilësimet e tilla janë jashtëletrare dhe jashtëkrijuese. Ato i ka krijuar mendësia e censuruar ose e vetëcensuruar në rrethanat e shoqërive të shtypura nga ideologjia ose dhuna e religjioneve.
Në çka e mbështetni trajtimin e këtyre ngjarjeve të cilat si të tilla, me apo pa qëllim, nuk janë hetuar nga organet gjyqësore ndërkombëtare në radhë të parë por as nga ato vendore?
Buxhovi: Si shkrimtar më kanë “provokuar” dy ngjarje. E para, shfaqja e N. Bllacës, i vetëquajtur agjent i SHIK-ut në një shesh të Prishtinës, kur para gazetarëve pranon se është vrasës. Me leje të njoftimit në dorë, zbulon identitetin e një vrasësi. Me këtë rast ai tregon edhe emrin e personit të vrarë si dhe hollësi të tjera rreth pjesëmarrjes në komandon vrastare nga viti 1999 deri në vitin 2008. Pas kësaj dalje në publik, Bllaca del edhe në TV dhe rrëfen për veprimtarinë e vrasësit dhe kërkon proces! Çdo gjë do të ishte në rregull (meqë njeriu pendohet, qoftë edhe krimineli), por i pabesueshëm ishte reagimi i ambientit tonë, me ç’rast ai u cilësua “i çmendur”, “agjent i Serbisë” e çmos ! Reagime të tilla pati nga “luftëtarë”, veteranë dhe “patriotë” të shumtë të të gjitha kategorive që u kthyen në një korife. U desh që EULEX-i, pas reagimeve të shtypit të jashtëm, ta hetojnë dëshminë e Bllacës dhe të nisin procesin në përputhje me vetëdenoncimin. Doli se njeriu jo vetëm që nuk ishte i çmendur, se jo vetëm nuk kishte gënjyer, por ai po e fliste të vërtetën, dhe se, brenda dy vitesh, në tri procese të quajtur “Rasti Bllaca”, u dënuan tri grupe të SHIK-ut, që ishin marrë me vrasje të porositura gjatë dhe pas luftës.
Dhe, provokimi i dytë, që më ka motivuar për ta trajtuar këtë problematikë, lidhet me gjyqësorin ndërkombëtar (UNMIK-n dhe EULEX-in) dhe strukturave të hetuesisë në këtë zinxhir (atyre policore), të cilat kanë marrë pjesë në eliminimin dhe vrasjen e dëshmitarëve të mbrojtur në mënyrë që t’u fshihen gjurmë e bashkëpunimit të grupeve kriminale me ndërkombëtarët, që kanë vrarë gjatë dhe mbas luftës për qëllime politike, ekonomike dhe të tjera! Nga të dhënat e vet gjyqësorit ndërkombëtar del se në Kosovë janë vrarë disa dëshmitarë të mbrojtur, kyç për zbardhjen e shumë vrasjeve (përfshirë këtu emra të rëndësishëm nga jeta intelektuale dhe politike ) si dhe janë vrarë disa kryes të vrasjeve nga radhët e formacioneve që janë marrë me vrasje! Këto veprime “pastruese”, pra kur edhe vrasësit vriten, nga strukturat e caktuara paramilitare, që të humben gjurmët, doemos se shtetin e kthejnë në vrasës!
Shfaqja e Bllacës dhe reagimi i pjesës më të madhe të opinionit përkujton atmosferën latinoamerikane të vrasjeve të paralajmëruara siç ndodhin në Makondon e Markezit dhe identifikimin e të tjerëve me të. Ky identifikim te ne, të shumtën mbështetet mbi stereotipet “e tradhtarit”, që, në emër të “një kodi moral” kushdo mund ta shpall dhe kushdo mund ta vrasë dhe për këtë të shpallet madje edhe patriot!
Natyrisht, se romani im shfrytëzon këtë temë dhe këtë moment për të nxjerrë në pah gjenin kriminal të individëve po edhe të shoqërive në rrethanat e caktuara shoqërore, veçmas të atyre kur kodi moral zëvendësohet me atë kriminal, siç ndodh rëndom në kohët e trazicioneve me të cilat po ballafaqohemi prej njëzet e sa vitesh.
Romani juaj “Dosja B” është përkthyer edhe në gjuhën angleze, pse dhe a mendoni se do t’ iu shërbej të huajve të njoftohen me një periudhë të pazbardhur të historisë më të re të Kosovës kur bënte luftë për pavarësinë e saj?
Buxhovi: Romani “Dosja B” pati një sukses të jashtëzakonshëm në Kosovë , ngaqë shprishi stereotipet rreth kategorive “të heronjve” dhe të “tradhtarëve” në planin shoqëror dhe politik, të koduara nga struktura kriminale, të cilat e kanë keqpërdorur edhe luftën qëllime të tilla, siç demitizoi edhe mitin “e çlirimtarëve” të ngritur mbi “merita e luftës” në dëm të paqes dhe të lirisë, fuqia e të cilëve, nuk do të ishte e tillë po qese një pjesë e tyre, për arsye “sigurie” e të ngjashme, nuk do të ktheheshin në “partner” të ndërkombëtarëve, gjë që ata edhe u morën në mbrojtje! Kjo dhe çështje të tjera që u shtruan në roman, bënë që vepra, ndonëse u mundua që nga mediet “të anashkalohet” ose edhe “të injorohet”, brenda një kohe të përjetojë disa botime dhe për një vit të tërë ishte në krye të top listës së librave më të shitur të vendit, gjë që edhe sot e gjithë ditën, mbetet ndër librat më të kërkuar. Natyrisht, se pasqyrimi i një problematike të tillë me sy tepër kritik, intrigoi edhe botuesin amerikan (Jalifat Publishing), që ta përkthejë në gjuhën angleze. Romani u botua në anglisht para një muaji dhe tashmë gjendet në shitje. Nga fundi i muajit do të bëhet promovimi në disa qytete amerikane (Uashington, Çikago, Nju Jork, Houston e të tjera), ku tashmë ekziston interesim i dukshëm. Natyrisht se botimi i tij në gjuhë të huaj, aspektit letrar (tematika e pranisë ndërkombëtare në Kosovë dhe bashkëjetesa e tij me krimin e organizuar), do t’i shërbejë edhe pasqyrimit të një të vërtete tashmë të njohur ndërkombëtarisht se misionet humanitare apo politike siç ishte edhe ai i OKB-së në Kosovë për t’i ngritur institucione vetëqeverisëse demokratike, jo gjithnjë ruajnë kornizat e tyre të njëmendta, gjë që shumë prej tyre kthehen në një strehë të krimit të organizuar të përmasave globale, paçka se ato i sjellin damë të mëdha vetë angazhimeve të tilla.
A keni pasur presione, shantazhe dhe gjëra të ngjashme dhe nëse po , atëherë a keni kërkuar ndihmën e organeve shtetërore të vendit apo edhe të atyre ndërkombëtare?
Buxhovi: Krijuesi i pavarur dhe i përkushtuar që të mbajë përgjegjësinë për veprën, nuk ua vë veshin atyre që quhen “presione” e të tjera. Në të kundërtën, duhet të hesht. Natyrisht se trajtimi i temave të tilla “të ndaluara” ose “të anatemuara” përcillet me shqetësime dhe trysni nga jashtë. Por, ato janë sfiduese. Të tilla i shoh dhe të tilla i marr…
Dhe, pyetja e fundit: Si intelektual që u angazhuat në lëvizjen shtetndërtuese në vitet e 90-ta në Kosovë (ishin ndër themeluesit e LDK-së dhe sekretar i parë gjeneral i saj), si shkrimtar, gazetar dhe historian, me një fjalë si qytetar i këtij vendi, që ende po përballet me mvetësinë e vet të vërtetë, mendoni se do të stabilizojë gjendjen apo do ta përkeqësoj situatën politike dhe stabilitetin në Kosovë Gjykata Speciale e Hagës me punën që i ka vënë vetes për detyrë në ndriçimin e vrasjeve me motive politike në Kosovë në vitet 1998,1999 dhe 2000?
Buxhovi: Kësaj pyetje që është politizuar as shumë te ne dhe po vazhdon të mbajë “të ndezur” një pjesë të opinionit tonë gjithsesi se një përgjigje ia jep edhe “Dosja B”, e cila merret me të keqen, ose pjesën e errët të një lufte të drejtë, siç ishte ajo e fundit, por në të cilën, si në çdo luftë, krahas patriotëve dhe idealistëve që janë në gjendje ta japin edhe jetën, futën matrapazë, kriminelë dhe gjithfarë tyxharësh, të cilët kalkulojnë që “meritat” e saj t’i kthejnë në “kapital paqe”. Shoqëria jonë, dështimin më të madh e ka treguar pikërisht te mosdiferencimi i idealistëve dhe luftëtarëve të njëmendë nga tyxharët dhe kriminelët, me ç’rast, këta të dytët, me oreolin e “çlirimtarëve” iu kanë kthyer në problem paqes dhe gjithë shoqërisë sonë. Të tillët me demagogjinë e “meritave të luftës”, kanë shkuar aq larg saqë çfarëdo shqyrtimi kritik i këtij kësaj çështje është kualifikuar “luftë kundër vlerave të luftës”!
Meqë gjatë dhe pas luftës, nga grupe kriminale, janë vrarë shumë intelektualë (shumë prej tyre emra të njohur të lëvizjes institucionale) dhe se ky trend ka vazhduar edhe mbas luftës; meqë gjyqësori në Kosovë (ai ndërkombëtar po edhe vendor) gjatë këtyre njëzet viteve, nuk ka deshtë të merret edhe me anën e errët të luftës, pra të keqpërdorimit të saj nga elementët kriminelë dhe, meqë kjo klasë politike, të shumtën është identifikuar me zullumqarët e tillë, që shtetin e kanë kthyer në plaçkë, është e drejtë që në mungesë të një instance juridike, gjyqësori ndërkombëtarë ta thotë fjalën e vet. Tek e fundit, një shoqëri mund të ketë probleme jo nga drejtësia “e tepërt”, qoftë edhe ndërkombëtare, por nga mungesa e saj, siç ka ndodhur për vite te ne…
Fare në fund, si krijues që përherë mbron anën e viktimave, them se të pamoralshme janë ato shoqëri, që nuk lejojnë që drejtësia t’u japë përgjigje krimeve, veçmas kur kjo bëhet me sloganin “në mbrojtje të vlerave të luftës”! Shoqëritë e tilla, jo vetëm që mbesin të robëruara, por edhe thellësisht kriminale.