Pesë personat e arrestuar më 9 qershor në Kosovë, në kuadër të një operacioni ndërkombëtar policor, dyshohen se kanë qenë pjesë e një rrjeti që trafikonte drogë nga Amerika e Jugut dhe Lindja e Mesme, drejt Kosovës dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Hetimet për rastin nisën nga mesazhet e dekoduara në aplikacionin Sky ECC.
Në orët e hershme të mëngjesit të së martës, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe autoritete policore evropiane, bëri pesë arrestime në një aksion të shpërndarë në pesë qytete kosovare.
Aksioni filloi në përndjekje të një grupi të dyshuar për trafikim të drogës dhe shpëlarje të parave.
I quajtur “White Star” (Ylli i bardhë), operacioni pati si provë kryesore të dhënat e siguruara nga platforma Sky ECC, komunikimet në të cilën u dekriptuan nga autoritetet evropiane në vitin 2021.
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, të dyshuarit që nga fillimi i vitit 2019 kanë marrë pjesë në veprimtarinë e një grupi të organizuar kriminal, që merrej me “blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve”, raporton Radio Evropa e Lirë.
Në dokumentin e Prokurorisë thuhet se grupi dyshohet se trafikonte kokainë nga shtetet e Amerikës së Jugut; heroinë nga Irani, Afganistani dhe Turqia; si dhe marihuanë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Spanja.
“Në Kosovë, pjesëtarët e këtij grupi kriminal e bëjnë përzierjen e narkotikut me sodë bikarbonat dhe përzierës të tjerë me qëllim të shtimit të peshës, më pas të njëjtën e paketojnë me anë të një makine me presion dhe narkotikun e vendosin duke e kamufluar nëpër produkte të ndryshme”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë, droga transportohej më pas përmes kompanive transportuese drejt Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Kroacisë, Gjermanisë, Zvicrës, dhe vendeve të tjera të Bashkimit Evropian.
Përveç trafikimit të narkotikëve, pesë të arrestuarit dyshohen edhe për pastrim parash.
Sipas Prokurorisë, ata dyshohet se “fitimet e siguruara nga aktiviteti kriminal i transferonin në biznese të ndryshme, të themeluara nga vetë të dyshuarit ose persona të afërt me ta”.
Një pjesë e mjeteve, sipas dokumentit, konvertohej në prona të luajtshme dhe të paluajtshme, përfshirë tokë, shtëpi, banesa dhe vetura.
Arrestimi i të dyshuarve u mbështet nga agjencia e zbatimit të ligjit e BE-së, Europol, dhe nga autoritetet e Francës, Belgjikës dhe Holandës.
Sipas Europolit, grupi kriminal operonte nga Kosova, ndërsa anëtarët e tij koordinonin trafikimin ndërkombëtar të drogës, dhe menaxhonin pastrimin e fitimeve të paligjshme në disa shtete evropiane.
Në njoftimin për aksionin për kapjen e të dyshuarve, Europoli tha se nga fillimi i hetimeve (të lidhura me platformën Sky ECC) janë hetuar 42 persona, janë kryer 76 kontrolle dhe janë sekuestruar pasuri me vlerë të vlerësuar të përgjithshme prej rreth 80 milionë eurosh.
Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, aktiviteti i të arrestuarve të djeshëm është i ndërlidhur me një rast të hetuar paraprakisht gjatë vitit 2025, në aksionin e quajtur “Qielli i Thyer”./REL