Sot në Gjermani është duke u mbajtur Samiti i Berlinit ku të ftuar janë përfaqësuesit e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kjo ngjarje është e organizuar nga Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Aty është folur për perspektivën e përbashkët evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Pas përgëzimeve për marrëveshjen e suksesshme midis Greqisë dhe Maqedonisë Veriore lidhur me mosmarrëveshjen e emrit, duke e quajtur si një shembull i shquar i zgjidhjes së suksesshme të konflikteve.
Në draftin e Samitit të Berlinit theksohet rëndësia e një marrëveshjeje përfundimtare ligjore për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës për stabilitetin në rajon.
“Një marrëveshje e tillë është çelësi për rrugët përkatëse evropiane të Serbisë dhe Kosovës. Ata ranë dakord që çdo marrëveshje e tillë duhet të jetë gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme politikisht dhe të kontribuojë në stabilitetin rajonal”, thuhet në raport.
“Serbia dhe Kosova ranë dakord të shpejtojnë përpjekjet për të zbatuar marrëveshjet ekzistuese dhe të ri-angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e normalizimit me lehtësimin e BE, me qëllim që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e një procesi negociues gjithëpërfshirës dhe transparent, i cili duhet të shoqërohet me përpjekjet për ndërtimin e besimit. Pjesëmarrësit ranë dakord të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të krijuar një zonë ekonomike rajonale në përputhje me deklaratën e samitit të Sofjes 2018 dhe Konkluzionet e Kryetarit të Samitit 2018 të Ballkanit Perëndimor në Londër”.
“Të gjithë pjesëmarrësit rikonfirmuan angazhimin e tyre për të bashkëpunuar në kuadrin e të ashtuquajturit Procesi i Berlinit. Lidhshmëria, bashkëpunimi ekonomik, tregtia e lirë, bashkëpunimi në çështjet e sigurisë, shkëmbimet e të rinjve dhe pajtimi përbëjnë shtyllat kryesore të procesit. Ata riafirmuan mbështetjen për Zyrën Rajonale të Bashkëpunimit për Rininë (RYCO). Ata shpresojnë në Samitin e ardhshëm në Poznan, Poloni”.