Drejtoresha e barnatores së QKUK-së e pafajshme për tenderin e barnave

Prishtinë | 16 Qer 2017 | 15:02 | Nga

Është shpallur e pafajshme drejtoresha e Barnatores Qendrore të QKUK-së Enkelejda Gjonbalaj. Drejtoresha e Barnatores Qendrore në QKUK Enkelejda Gjonbalaj është shpallur e pafajshme në lidhje me një tender milionësh të barnave.

Gjonbalaj akuzohej se si drejtoreshë e barnatores dhe kryesuese e grupit punues për ndryshimin dhe plotësimin e listës esenciale të barnave, ka zëvendësuar dy produkte mjekësore, me një produkt tjetër më të shtrenjtë.

Këtë, sipas aktakuzës, Gjonbalaj e kishte bërë për përfitim për vete dhe operatorin ekonomik “Global Pharm”, duke i hequr nga lista esenciale e barnave produktet mjekësore ondansetron dhe granisteron, të cilat në treg kanë pasur çmim shumë më të vogël.

Këto produkte, prokurori pretendonte se Gjonbalaj i ka zëvendësuar me produktin tjetër palonosetron, i cili në treg ka pasur vlerën prej 77.99 eurove.

Gjonbalaj ngarkohej se përveç që e vendosi në listë produktin e shtrenjtë, atë e futi në rangun e citostatikëve-barnave që lehtësojnë sëmundjen e kancerit, edhe pse ky bar përdoret vetëm për të vjellat që shkaktohen nga kjo sëmundje.

Për futjen e palonosetron-it në listën esenciale të barnave, aktakuza konstatonte se Gjonbalaj nuk u konsultua me onkologët-ekspertët mjekësorë që luftojnë kancerin.

Gjonbalaj në këtë proces gjyqësor edhe vetë ishte deklaruar e pafajshme në një sencë në muajin maj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme