Një delegacion i Drejtorëve Ekzekutivë të Grupit të Bankës Botërore vizitoi Kosovën me 27-28 mars për të diskutuar me Qeverinë dhe palët e tjera të interesit mbi prioritetet zhvillimore të Kosovës e veçanërisht, për rëndësinë e reformave në sektorin e energjisë dhe integrimin në tregun rajonal të energjisë. Vizita në Kosovë ishte pjesë një turneu më të gjerë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Drejtorët Ekzekutivë u takuan me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Kryetarin e Kuvendit, dhe me Ministrat e Financave, të Zhvillimit Ekonomik, dhe të Tregtisë dhe Industrisë, si dhe me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, për të diskutuar kontekstin dhe sfidat e vendit, programin e reformës së qeverisë, dhe prioritetet e angazhimit të Grupit të Bankës Botërore në Kosovë, me fokus në sektorin e energjisë dhe integrimin në tregun rajonal të energjisë. Ata po ashtu u takuan me përfaqësuesit e sektorit privat dhe të komunitetit të donatorëve.
Delegacioni 8-anëtarësh po ashtu vizitoi kompleksin e vjetruar të termocentralit dhe minierën e lidhur me të në periferi të kryeqytetit Prishtinës, për të kuptuar sfidat teknike, ambientale dhe sociale me të cilat përballet Kosova për tejkalimin e mungesës në furnizimin me energji.
Me nivele të të hyrave ende rreth një e katërta e mesatares së Bashkimit Evropian dhe me nivele të larta të papunësisë, Kosova duhet të zhvillohet më shpejt dhe të krijojë vende pune, veçanërisht për popullsinë e saj të madhe të re. Vendit i duhet energji e përballueshme dhe e qëndrueshme për të rritur shkallën e zhvillimit, ulur varfërinë, rritur punësimin dhe përmirësuar jetën e njerëzve. Ndihma për Kosovën që të adresojë mungesën e energjisë është një prej qëllimeve të strategjisë më të gjerë të Grupit të Bankës Botërore për të mbështetur zhvillimin ekonomik gjithpërfshirës dhe krijimin e vendeve të punës në Kosovë.
“Modernizimi i infrastrukturës energjetike dhe përmirësimi i kombinimit të energjisë do të jenë kritike për zhvillimin dhe krijimin e vendeve të punës në të ardhmen në Kosovë” tha Maximo Torero, drejtor Ekzekutiv, përfaqësues për Perunë, Argjentinën, Bolivinë, Kilin, Paraguajin dhe Uruguajin.
“Grupi i Bankës Botërore është i përkushtuar që të ndihmojë Kosovën të zgjidh mungesën e energjisë përmes një strategjie gjithëpërfshirëse e cila përfshin efiçencën e shtuar të energjisë, zhvillimin e energjisë së ripërtërishme, shpërndarjen më të mirë të energjisë, integrimin në tregjet rajonale të energjisë, dhe mbështetjen për prodhim të ri dhe të pastër të energjisë i cili është edhe i qëndrueshëm edhe i përballueshëm për qytetarët”.
Grupi i Bankës Botërore është duke përfunduar Kornizën e re të Partneritetit me Vendin për Kosovën për periudhën 2017 – 2021, me qëllim të mbështetjes së zhvillimit më të qëndrueshëm, të orientuar drejt eksportit dhe përfshirës, në mënyrë që qytetarëve të Kosovës tu ofrohen më shumë mundësi për jetë më të mirë.
Portfolio aktuale e huave të Bankës Botërore arrin shumën prej 124.4 milionë dollarësh në të gjashtë projektet në fushat e efiçencës së energjisë dhe energjisë së ripërtërishme, arsimit, bujqësisë, shëndetësisë, kadastrës dhe sektorin e ujërave. Prej vitit 1999, Banka Botërore i ka dhënë Kosovës dhe/ose ka menaxhuar rreth 400 milionë dollarë përmes më shumës se 30 operacioneve, përfshirë përmes fondeve të mirëbesimit pas-konfliktit.
Investimi financiar afatgjatë i Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) në Kosovë kap shumën prej 391.4 milionë dollarësh, përfshirë 369.2 milionë dollarë të mobilizuar nga partnerët e IFC-së, në pesë projekte në sektorë të ndryshëm. Përveç kësaj, IFC ka mbështetur qarkullimet tregtar prej 4.8 milionë dollarësh përmes programit të saj të financimit të tregtisë. Portfolio e investimit të zotuar të IFC-së në Kosovë sot është 7.5 milionë dollarë.
Agjencia Shumëpalëshe për Garantimin e Investimeve (MIGA) ka nxjerr një garanci të sigurimit për rrezikun politik në sektorin e shërbimit financiar me qëllim të zgjerimit të aktiviteteve të kreditimit të brendshëm në vend, në mënyrës specifike për NVM-të.