Qeverisja e re komunale e Klinës ende po vazhdon të ketë pengesa në shfrytëzimin e kompjuterëve zyrtarë në mungesë të password-ve.
Edhe pse janë bërë dy javë që kanë filluar mandatin si drejtorë të drejtorive komunale në Klinë, disa prej tyre ende nuk kanë mundur t’i hapin kompjuterët në zyrat e tyre.
Drejtori i ri i Administratës Komunale të Klinës, Binak Syla, nuk po mund ta shfrytëzojë kompjuterin e zyrës se tij, sikurse shumë drejtorë tjerë të sapoemëruar në Komunë të Klinës.
Syla tha se ende nuk po e di arsyen pse nuk po mund të ketë qasje për të punuar në kompjuterët zyrtar.
Sipas tij, edhe pse ish-drejtori i qeverisjes se mandatit të kaluar gjatë pranim-dorëzimit të detyrës zyrtare ia kishte treguar edhe password-in e kompjuterit të zyrës, ky i fundit nuk po i hapet.
“Pranim dorëzimi i detyrës është bërë me datën 28 dhjetor, në orën 9 të mëngjesit, para seancës se asamblesë komunale. Pasi e kam pranuar detyrën kur kam provuar ta hapë kompjuterin ka qenë prezent edhe ish-drejtori i administratës, nuk ka mundur ta hap as me fjalëkalimin(password-in) e tij, ka qenë pengesë diku. Nuk e dimë arsyen pse nuk hapej”, tha Syla.
Drejtori i Administratës në Klinë tha se disa nga drejtorët tjerë të drejtorive nuk i kanë fare password-at e kompjuterëve.
“Ka edhe të atillë(drejtorë) që ju ka dhanë fjalëkalimi edhe ka qasje, po ka edhe të atillë që ju ka dhanë e nuk ju hapen. Ka edhe drejtorë që nuk e kanë poseduar fare fjalëkalimin nga drejtoret e mëparshëm”, tha Syla.
Kreu i administratës komunale për katër vjetët e ardhshëm në Klinë, tha se sapo e ka pranuar detyrën e ka kuptuar se Komuna e Klinës kishte rreth tre muaj qe kishte mbetur pa zyrtarë të IT-së.
“IT-in nuk kemi mundur me kontaktu për shkak se nuk ka qenë këtu në Klinë. Ai qe ka punuar me parë thanë se e kish lënë punën para tre muajve. Nuk e di pse nuk janë ndërmarrë procedura nga ish-qeverisja për ta zëvendësuar mungesën e tij, sepse momentalisht s’ka asnjë zyrtar si IT-i të punësuar”, tha ai.
Sipas tij menjëherë janë marrë të gjitha masat për ta angazhuar fillimisht një IT për ta kuptuar se ku qëndron problemi se pse nuk po hapen kompjuterët.
Ai u shpreh i bindur se problemi me kompjuterët e komunës do zgjidhet brenda një kohe të shkurtër.
“Tani e tutje proceduara për hapjen e të gjitha mundësive për me funksionuar kompjuterët është në tentativë e sipër për ta siguruar IT-në që mund të ketë qasje në të”, tha Syla.
Edhe katër ditë më parë KALLXO.com shkroi për problemin e moshapjes së kompjuterëve nga administrata e re e Komunës së Klinës.