Drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arben Gjukaj, bëri të ditur se nga 15 nëntori kur është kaluar në gjendje emergjente sa i përket nxjerrjes së thëngjillit në Hade e Shipitullë janë humbur rreth 14.8 milionë euro.
Drejtori Gjukaj raportoi sot para Qeverisë së Kosovës lidhur me gjendjen aktuale me energji elektrike.
Në raportimin e tij, Gjukaj tha se falë angazhimit të Qeverisë dhe marrëveshjes me banorët e Shipitullës, konkretisht ata të lagjes Mirena, nga mesdita e djeshme ka filluar mihja e dheut. “Nga dje janë larguar më shumë se 25 mijë metra kub thëngjill”.
Ai tha se është duke u punuar me nga një bllok në A dhe B, ndërsa nga ora 24:00 e ditës së sotme do të aktivizohen edhe 260 megavatë që shkon diku në 82 për qind e mbulimit të konsumit nga prodhimi vendor. “Besoj se më këtë dinamikë pas datës 10 janar pritet të aktivizohen të gjitha njësitë”, tha Gjukaj.
Gjukaj bëri të ditur se shumica e banorëve nga Hadja dhe Shipitulla tashmë janë zhvendosur dhe ka mbetur vetëm ndonjë pjesëtar i familjes për shkak të frikës nga vjedhjet. Ai paralajmëroi se deri në fund të javës të fillohet me punën në ato pjesë.
Drejtori i KEK-ut përsëriti se sipas marrëveshjes të zhvendosurve do t’ua paguajnë dhe qiranë dhe shujtë për 4 muaj derisa të bëjnë zgjidhje për banim.
Kryeministri Haradinaj lidhur me këtë raportim tha se janë momente të ndjeshme të furnizimit me energji dhe për këtë duhet angazhimi i të gjithëve. Kryeministri tha se duhet të bëhet stabilizimi i furnizimit me rrymë, pra të mos ketë ndërprerje dhe të mos ketë rritje të çmimit.
Importi i rrymës bëhet nga KEDS-i, por Haradinaj e ka pyetur Gjukajn se sa janë harxhuar në ditë për importin e rrymës.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se nga fillimi i “gjendjes emergjente” janë shpenzuar nga nga 600 mijë deri në 1 milion euro në ditë për import të rrymës, varësisht nga çmimi.
Kryeministri Haradinaj e pyeti Arben Gjukajn se pse KEK-u nuk bashkëpunon me KEDS-in dhe KOSTT-in. “Pse nuk mbani takime të përbashkëta për të planifikuar punën”.
Gjukaj tha se KEK-u e ka shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. “Dhe i gjithë menaxhmenti, përfshirë edhe mua jemi në kujdestari 24-orëshe dhe ka ngritje të nivelit të sigurisë por edhe të raportimit”, tha Gjukaj.
Qeveria e Kosovës mban mbledhje, diskuton për KEK-un from Ekonomia Online on Vimeo.